TIRANË-Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e zhvilluar me deputetët e zgjedhur në Tiranë ka deklaruar se asnjë ndërtim i bërë pas 2020 nuk do të legalizohet. Rama theksoi se procesi i legalizimeve ka përfunduar zyrtarisht në vitin 2020 dhe çdo përpjekje për ta keqpërdorur këtë proces për përfitim personal do të ndëshkohet.
Edi Rama: Legalizimi, është një terminologji abuzive e përdorur nga individë, subjekte që për qëllim fitimi fillojnë zaptime të hapësirave publike dhe pastaj bëjnë vetëdeklarimin që i fut si individë në proces legalizimi. Procesi i legalizimit me ligj është mbyllur në vitin 2020, që asgjë e ndërtuar pas vitit 2020 nuk legalizohet. Do t’i konsiderojmë të pavlefshme të gjitha vetëdeklarimet për godinat apo ngrehinat me qëllim fitimi, nuk jemi këtu për të diskutuar shtëpitë e familjeve që kanë ndërtuar një shtëpi për të futur kokën, dhe interesi publik do prevalojë në të gjitha rastet kur do duhet të bëhet një ndërhyrje dhe askush nuk mund të nxjerrë një copë letër të thotë jam në proces.