TIRANË-Mbledhja e Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme është zhvilluar mes debateve, ku shkak është bërë deklarata e ministres serbe Snezhana Paunoviç, e cila gjatë një interviste u shpreh se nëse do të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviçit do të "spastronte etnikisht Kosovën". Deputetët e opozitës Tritan Shehu dhe Albana Vokshi kërkuan sqarime dhe një reagim nga kryetari i Komisioni të Jashtëm, Igli Hasani.
Pjesë nga debati:
Shehu: Ne jemi komisioni i jashtëm, nuk mund t’i anashkalojmë këto veprime, ne bëjmë analizën e veprimit të politikave të jashtme. Ne duhet të shprehemi dhe i rekomandojmë qeverisë se çfarë duhet të shprehet. Këtu kemi të bëjmë me një deklaratë tejet të rrezikshme, me një qëndrim që kërkon të nxisë diçka dhe që është në vazhdën e qëndrimeve armiqësore ndaj Kosovës dhe që lidhet me atë që kërkon të mbulohet gjenocidi serb në Kosovë. Qeveria shqiptare duhet të marrë masa, deklaratat nuk janë dokumente formale. Nuk mund ta trajtojmë sikur është një qytetare e thjeshtë, është një anëtare e qeverisë.
Vokshi: Ruani etikën, mos e ngrini zërin se fyerja e kolegevë të opozitës nuk ju jep të drejtë në atë që thoni.
Hasani: Kur më jep ti leksione për ruajtjen e durimit, është fundi i botës.
Vokshi: A mund të qetësoheni? Shoh që qenkeni në siklet.
Hasani: Jam aq i qetë, o zonja Vokshi.
Vokshi: E kuptoj që kjo gjuhë ju prek. E kuptoj që, duke ngritur zërin, ju kërkoni të fshihet heshtja e dënueshme e kryeministrit.
Hasani: Nuk më fsheh heshtjen e askujt. E kuptoj dëshirën për të përdorur deklaratën budallaqe të një të çmendure.
Vokshi: Ajo është ministre, s’mund të trajtohet si individ i çmendur.
Hasani: E çmendur, qelbësirë e çmendur.
Vokshi: Ju duhet të reagoni. Ky komision duhet të reagojë.
Hasani: Fol, por mos u merr me mua.
Vokshi: Drejtohuni siç duhet, ruani etikën dhe qetësinë. Ju më fyeni, por unë nuk i përgjigjem fyerjes suaj.
Hasani: Mos u merr me mua.
Vokshi: Opozita nuk do ta mbyllë gojën.