Politikë

'E bleva 2.9 mln euro dhe e shita 15', Shehaj sfidon politikanët nga vila në Itali: Dilni dhe bëni transparencë

Shehaj tregon se e ka shembur dhe ka investuar rreth 4 milionë euro për të ndërtuar një vilë të re prej rreth 500 m² dhe pas 5 vitesh e ka shitur për 15 milionë euro.

F.I
'E bleva 2.9 mln euro dhe e shita 15', Shehaj sfidon politikanët
Agron Shehaj

TIRANË-Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka reaguar sërish lidhur me akuzat nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, për një vilë në Itali, të deklaruar me vlerë 15 milionë euro. Shehaj i ndodhur në vilën në Itali, shprehet se po bën atë që nuk e ka bërë asnjë politikan më parë në lidhje me transparencën. 

Kreu i Partisë Mundësia me dokumente në duar deklaron se vilën e ka blerë në 2019 për 2.9 milionë euro, rreth 250 metra katror dhe më pas tregon se çfarë ka bërë ndër vite me të. Një vit më vonë Shehaj tregon se e ka shembur dhe ka investuar rreth 4 milionë euro për të ndërtuar një vilë të re prej rreth 500 m² dhe pas 5 vitesh e ka shitur për 15 milionë euro. Ai shprehet se çdo gjë është e kontrolluar dhe në Itali askush nuk të fal po shkele ligjin. Shehaj shprehet se ky investim dhe blerje me punë të ndershme i bezdis transparenca.

Agron Shehaj: Ndryshimi po vjen dhe spastrimin e të korruptuarve nuk e ndal dot askush. Nuk ka investim më transparent dhe më të pastër se shitja e vilës sime në Itali.

Në vitin 2019 bleva një vilë të vjetër prej rreth 250 m² për 2.9 milionë euro.
Në vitin 2020 mora leje ndërtimi, e shemba dhe investova rreth 4 milionë euro për të ndërtuar një vilë të re prej rreth 500 m².
Në vitin 2025 e shita vilën e re për 15 milionë euro.
Në vitin 2026 kam blerë një vilë tjetër, ku do të vazhdoj të investoj.

Çdo hap i këtij investimi është deklaruar sipas ligjit, si në Shqipëri ashtu edhe në Itali. Në Itali nuk shpëton asnjë cent pa u verifikuar. Çdo euro është e dokumentuar.

Pasurinë time e kam krijuar me punë të ndershme, shumë përpara se të hyja në politikë dhe kam deklaruar miliona euro pasuri. Prandaj Rama, Balla dhe gjithë llumi që kanë ushqyer me paratë e vjedhura nga shqiptarët nuk më bëjnë dot pis. Nuk kanë asgjë për të zbuluar, sepse nuk kam asgjë për të fshehur.

Çështja e pasurisë së Shehaj është sjellë në vëmendje edhe në dy seancat e fundit të Kuvendit nga kreu i Grupit të PS-së, Taulant Blla, i cili i kërkoi publikisht kreut të Partisë Mundësia që të japë shpjegime për një transaksion të deklaruar në pasurinë e tij, ku thuhet se ka shitur një pronë me sipërfaqe totale 251 metra katrorë për vlerën 15 milionë euro.

Vila e Shehajt, e cila ka ndezur debatin me Ballën, ndodhet në “Forte dei Marmi”, në një nga zonat më të shtrenjta të Italisë. Bëhet fjalë për një vilë plazhi, e cila në deklaratën e pasurisë figuron me një sipërfaqe totale të asetit prej 251 m². Në këtë zonë, çmimi nuk lidhet vetëm me metrat katrorë të ndërtesës, por sidomos me truallin, privatësinë, afërsinë me detin dhe karakteristikat e veçanta të pronës. Shuma prej 15 milionë euro ka ngritur pikëpyetje për shkak të diferencës së dukshme me çmimet e zakonshme të tregut për prona të ngjashme.

Poll

MOS HUMB