TIRANË- Kryeministri Rama deklaroi se ndërtimi do të bëhet vetëm në pronat private me dokumente. Kreu i qeverisë nënvizoi se Këshilli Kombëtar i Territorit ka vendosur kushte dhe kufizime për projektin, duke theksuar se laguna nuk preket dhe se nuk do të lejohet ndërtimi i marinës. Kjo e fundit siç thekson Rama ishte parashikuar në versionet e mëparshme të projekteve, por është hequr.
Më tej, shtoi se projekti duhet të respektojë peizazhin natyror, cilësinë e habitatit dhe proceset ekologjike.
“Pasi u refuzua projekti investitorët angazhuan 5 studio ndërkombëtare ndër më të mirat në botë, dhe një grup inxhinierësh nga më të mirët në botë që ende po punojnë të paraqesin studimin mjedisor që nuk e kemi ende. Lufta deri tani po bëhet me një gardh të shëmtuar skandaloz me tela me gjemba për të cilën kompania do të paguajë një gjobë të majme dhe për dhunën e ushtruar nga ajo kompania që nuk do të punojë më në republikën e Shipërisë. Kanë ardhur investitorët, ka ardhur edhe ajo zonja në Vlorë jo për të bërë foto apo pushime, por me inxhinierë dhe grupin e arkitektëve dhe kanë bërë gjysmë dite dëgjesë me profesorë që kanë folur për të gjithë aspektet.
Në mars 2026 është paraqitur një projekt tjetër komplet i rikonceptuar me një qasje tërësisht ndryshe.
Këshilli Kombëtar i Territorit, tregtarët pra që për llogari timen shesin Shqipërinë, nuk e kanë miratuar të gjithin por kanë vendosur kushte dhe kufizime.
Projekti do të zhvillohet vetëm në prona private me titull pronësie, laguna nuk preket, dhe zhvillimi nuk mund të përfshijë marinë. Ishte në versionin 1 dhe 2 por u hoq. Nuk po ju them që investitorët thonë nuk e kemi pritur kurrë që në Shqipëri shteti do të jetë kaq rigoroz dhe pse kanë kërkuar të veprojnë konform ligjit. Duan të investojnë jo të sjellin barcaleta.
Projekti duhet të ruaje peizazhin natyror cilësinë e habitatit dhe të garantojë proceset ekologjike të habitatit”, tha Rama.