TIRANË-Kryeministri Edi Rama po mban një konferencë lidhur me ngjarjen e Zvërnecit, ku punonjësi i shoqërisë private 'Major Security' goditi me grusht njërin prej qytetarëve, i cili po protestonte kundër ndërtimit të një resorti në zonë nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”. Rama u shpreh se është betuar për të mos i tradhëtuar kurrë votuesit dhe shqiptarët, duke theksuar se e gjithë zhurma është një kurth për Shqipërinë.
Edi Rama: Falë votës suaj, me të cilën ia kemi ngritur kokën çdo shqiptari kudo që është, i kemi dhënë vlerën që ka flamuri ynë në sytë e të huajve dhe dua ta bëjmë Shqipërinë vendin që të ketë destinacionin më të lakmuar në Mesdheun e sotëm. Ky projekt është pjesë e kësaj përpjekjeje. Tani kam zgjedhur t’ju tregoj anën tjetër të medaljes, edhe me rrezikun që të mos më besoni. Po aq hapur, kur kam hyrë në atë zyrë, kam thënë se zyra është e imja, pushteti është i juaji dhe nuk kam premtuar që s’do bëj gabime, por kam premtuar që s’do ju tradhtoj kurrë. Nuk është vendi këtu për të shpjeguar arsyet e këtij premtimi. Është vendi për t’ju treguar se si ju kanë manipuluar, ju kanë tërhequr duke shfrytëzuar atdhetarinë, dëshirën për të pasur një vend të bukur, dhe se si ju kanë kthyer në pjesë të një kurthi që i ngrihet kësaj partie dhe mua që prej ditës së parë, por që në këtë rast është një kurth për të ardhmen e Shqipërisë. Dua ta ndaj me ju se kam menduar edhe për një film, që na identifikon ne përpara botës, kur na dinin njerëz me bisht, dhe jo në vitet para erës sonë, por në vitet e demokracisë.