
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka votuar në selinë blu në procesin e Primareve që po zhvillohet në të githë vendin. Berisha e cilësoi këtë si një ditë e rëndësishme për Partinë Demokratike dhe pluralizmin politik. Më tej, kryedemokrati shtoi se ishte e vështirë për të zgjedhur, pasi kishte kandidatura konkurruese. Ndërsa e quajti këtë process një akt shprese.
"Një përshëndetje të përzemërt të gjithë demokrateve dhe demokratëve që kanë votuar dhe do votojnë sot për të shprehur vullnetin e tyre për kandidatin që ata dëshirojnë t’i përfaqësojë në parlamentin e Shqipërisë.
Kjo është një ditë e rëndësishme për PD, është një ditë e rëndësishme për pluralizmin politik në Shqipëri dhe për lirinë.
PD prin në betejën e saj për liritë dhe të drejtat e anëtareve dhe anëtarëve të saj, e qytetareve dhe qytetarëve të Shqipërisë. Ktheni pak kokën, mbyllni pak sytë dhe shihni se çfarë ndodh në partinë tjetër. Se në çfarë kthetrash, çfarë honesh vidhisen në këtë periudhë. Ndaj dhe, ky është një akt shprese për shqiptarët që liria nuk do të shuhet kurrë në këtë vend, por do dalë shumë më e fortë nga këto zgjedhje", tha Berisha.
Ndërsa pyetjes së për kë votoi, Berisha u shpreh se ky është sekret dhe respektoi statutin, "një votë një anëtar".
Pyetje: Z.Berisha, e patët të lehtë ta bënit zgjedhjen tuaj?
Berisha: Shumë të vështirë, sepse kishte kandidatura aq konkurruese, sa ishte e vështirë ta përqendroje vendimin tek një e veçantë. Do të doja të ishin disa, por unë respektova statutin.
Primaret në vetvete përmbajnë rregulla mbi përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Siç shkruhet në dokument, në mbyllje të primareve për zgjedhjet që do të mbahet konsiderohet i përzgjedhur dhe fitues ai kandidat i cili merr të paktën 50% + 1 të votave nga totali i një selie të PD-së në një qark të caktuar. Por, në rast se asnjë nga kandidatët nuk siguron votat që duhet, atëherë kalojnë në balotazh dy kandidatët me numrin më të lartë të votave. Po ashtu, kandidatët për Primaret mund të propozohen nga anëtarët e PD-së, por edhe mund të vetëpropozohen për garën./ZËRI