
TIRANË- Deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi tha se deklarata e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që fliste për operacionet e saj cënoi sekretin hetimor. Me lot në sy, ajo tha se ndjehet e fyer ndaj gënjeshtrave të SPAK. Kryemadhi shtoi se është e prekur pas publikimit të faturavë të trajtimit te vajzës së saj kur ishte 6 vjeçe dhe të operacionit të saj, kur ajo ishte me kancer. Ajo hodhi poshtë akuzat e SPAK se ka kryer opeacione pastike.
“Janë thirrur mijëra njerëz, bashkëpunëtorë të mi, janë rrëmbyer në aeroporte, janë zhveshur. Megjithatë për hir të sekretit hetimor ne nuk kemi folur për respekt të reformës në drejtësi. Deklarata e djeshme e SPAK që fliste për operacionet e Kryemadhit ka cënuar nenin për sekretin hetimor. Kam menduar që lajmet që hapeshin me këto tituj kanë qenë rrjedhje e informacioneve. Megjithatë nuk jam marrë asnjëherë për të bërë listën se kush kanë qenë ndërhyrësit për të bërë listën fituese të prokurorëve dhe kush ka ndërhyrë për ta. Ndjehem shumë e fyer që SPAK gënjen në deklaratën e tyre. Thotë 106 mijë euro operacione estetike. Në moshën 6 vjeç vajza ime është operuar dhe mjekët i kanë dhënë 2 javë jetë nëse nuk bëhet ndërhyrje. Ka bërë edhe ilir meta një operacion në shëndetësor në 2013.
Nuk e ka paguar ai, e kam paguar unë "cash" dhe ai nuk e di as sa ka bërë. Ai nuk ka blerë asnjë një shishe ujë. Kam paguar unë çdo gjë. Shkollat, drita, ujë. I kam marrë edhe Ilir Metës në bankë. Ilir Meta është marrë vetëm me politikë. Të më falë shumë Matilda Makoçi, Edi Rama, Gregor Rama. E ka deklaruar Edi Rama se kush ia ka paguar operacionin për kancer të të birit? A e ka hetuar SPAK këtë gjë? Nxjerr SPAK faturën faturën e një lipome të vajzës time, operacionin tim të kancerit në qafën e mitrës.
Nuk kam bërë asnjë operacion plastik se po ta kisha bërë nuk do kisha turp ta thosha. Se sot po i bëjnë të gjithë. Kam bërë mirëmbajtje”, tha Kryemadhi.
Ditën e djeshme Policia e Shtetit arrestoi ish-presidentin e vendit Ilir Metën, pasi ai akuzohet nga SPAK për veprat penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish. Por Meta nuk është i vetmi që ka rënë në rrjetën e SPAK, pasi kontrolle janë ushtruar edhe në banesën e Endrit Brahimllarit, në “arrest shtëpie” është caktuar Pirro Xhixho (babai i Erisa Xhixhos), ndërsa Monika Kryemadhi dhe Ema Çoku janë lënë në “detyrim paraqitje”. /ZËRI