
TIRANË- Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka dalë në një deklaratë publike për herë të parë për mediat pas arrestimit të ish-presidentit Ilir Meta dhe vendosjes ndaj saj të masës “Detyrim Paraqitje”. Ajo tha se e ka parë shkarazi dosjen e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi nuk ishte më e qetë. Më tej, Kryemadhi shtoi se ajo ka dorëzuar në SPAK një dosje me rreth 5 mijë faqe që përmban një analizë rreth financave të saj.
"Nuk isha shumë e qetë mendërisht dhe shpirtërisht për ta parë dosjen. Thirrjet e mia në SPAK kanë pasur lidhje me Erion Veliajn. Megjithatë për të respektuar një institucion kam qenë shumë korrekte. Përveç korrektësisë time si politikane dhe qytetare i kam çuar prokurorit të çështjes mbi 5 mijë faqe analizë financiare të familjes time. Mamaja ime e ka pasur rreth 3 mijë faqe, ndërsa unë 5 mijë faqe", tha Kryemadhi.
Ditën e djeshme Policia e Shtetit arrestoi ish-presidentin e vendit Ilir Metën, pasi ai akuzohet nga SPAK për veprat penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish. Por Meta nuk është i vetmi që ka rënë në rrjetën e SPAK, pasi kontrolle janë ushtruar edhe në banesën e Endrit Brahimllarit, në “arrest shtëpie” është caktuar Pirro Xhixho (babai i Erisa Xhixhos), ndërsa Monika Kryemadhi dhe Ema Çoku janë lënë në “detyrim paraqitje”. /ZËRI