Politikë

SPAK konfirmon lajmin e ZËRI: Adrian Shatku u favorizua nga Meta-Kryemadhi, biznesmeni i pajisi me karta krediti

Pirro Xhixho, duke shfrytëzuar autoritetin e tij si Kryetari i AKEP, i zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë me propozimin e subjektit politik “Lëvizja Socialiste Për Integrim” (LSI). Ai mori porosi nga Meta dhe Kryemadhi dhe jo vetëm që ka ndikuar tek drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizmin e marrëveshjes por nga ana tjetër, ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP. 

F.m
SPAK konfirmon lajmin e ZËRI: Adrian Shatku u favorizua nga Meta-Kryemadhi,
Adrian Shatku dhe Ilir Meta

TIRANË- Në episodet e zbardhura nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), mbi të cilat janë ngritur akuzat për Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, është edhe çështja që përfshin Pirro Xhixhon, babain e Erisa Xhixhos, i cili është lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

SPAK ka dalë në përfundimin se kur Ilir Meta ishte kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, bashkë me bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, në vitin 2014, kanë përdorur influencën e tyre duke ndikuar tek drejtuesit e institucioneve të ndryshme shtetërore si dhe tek drejtuesit e kompanive të telefonive celulare, me qëllim futjen në tregun e fibrave optike si dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis kompanisë  “U… C… INC” dhe një kompanie private telefonike celulare.

“Burrë e grua kanë përfituar pjesën e tyre në përqindje nga fitimi i kompanisë, dhe janë pajisur me karta krediti nga administratori i shoqërisë. Shpenzimet e kryera nëpërmjet këtyre kartave, nuk janë deklaruar në deklaratat e pasurive nga të hetuarit,”- shkruan SPAK.

Këtu hyn Pirro Xhixho, i cili duke shfrytëzuar autoritetin e tij si Kryetari i AKEP, i zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë me propozimin e subjektit politik “Lëvizja Socialiste Për Integrim” (LSI). Ai mori porosi nga Meta dhe Kryemadhi dhe jo vetëm që ka ndikuar tek drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizmin e marrëveshjes por nga ana tjetër, ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP. 

Por, për cilën kompani bëhet fjalë?

Në këtë pikë, SPAK ka konfirmuar një lajm të publikuar nga ZËRI më 3 shtator 2024, në të cilin zbulohej ‘agjenti sekret’, të cilin Meta e akuzoi si bashkëpunëtor të SPAK, përmes një deklarate për shtyp të bërë nga zëdhënësja e tij, Jasmina Memelli.

Në deklaratë, ‘agjenti’ identifikohej vetëm me inicialet A.Sh., ndërsa ZËRI zbuloi se bëhej fjalë për biznesmenin Adrian Shatku, që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

"Të gjithë ata që merren me këtë çështje, siç Presidenti Meta jua ka bërë të ditur ‘off-record’ bashkëpunëtorëve të Dum-Dumanit, e dinë shumë mirë se në krye të kësaj skeme është ish-bashkëpunëtori i Shërbimeve Jugosllave, A. SH., (emrin e të cilit nuk po e publikojmë për të mos dëmtuar hetimet e Dum-Dumanit), i arratisur nga Dibra në fund të viteve ’80 dhe i rekrutuar nga Shërbimet Jugosllave të kohës. Ky person është riaktivizuar në vitet 2000 me qëllim kompromentimin e Ilir Metës dhe të personave të afërt me të duke përdorur lidhje gjoja farefisnore. Ai ka kryer një veprimtari të mirëfilltë agjenturore duke arritur të kompromentojë njerëz pranë Presidentit Meta, faktet për të cilat ata i dinë dhe i kanë në dispozicion, siç janë personat, E. B., J. M., dhe të tjerë,"- deklaroi zëdhënësja e Metës.

ZËRI raportoi gjithashtu se në sitën e SPAK janë edhe disa kontrata që Shatku ka përfituar nga institucionet shqiptare, përfshirë këtu AKEP, përmes kompanisë së tij, UNIFI HOLDING Dega Shqipëri. Degë e UNIFI HOLDING, pronë e Shatkut, kjo kompani erdhi në Shqipëri në vitin 2009 ku prezantoi një sërë projektesh ambicioze.

Kjo kompani, me administratorë dy të afërmit e Adrian Shatku, Florian dhe Enkeleda Shatku u largua në gusht të vitit 2018, kur socialistët kishin larguar nga AKEP Pirro Xhixhën e ish-LSI dhe drejtuesi i ri kishte urdhëruar inspektim.

Në përfundim të hetimit administrativ, AKEP gjobit “Unifi-dega Shqipëri” me 50 milionë lekë.

Ishin pikërisht lidhjet e forta të Shatkut ato që kishin bërë të mundur që aktiviteti i tij në Shqipëri të zgjerohej me sukses. Në vitin 2010, një vit pas ardhjes në vend, qeveria Berisha miratoi vendosjen e kabllit nëndetar ndërkombëtare me fibër optike Bari-Durrës, ku studimi iu dha UNIFI-t. Që nga viti 2017, pasi projekti u shty disa herë, nuk ka më asnjë njoftim zyrtar se çfarë u bë me këtë studim që do të duhet të realizonte UNIFI dega Shqipëri. 

Por kush e mbrojti Shatkun në AKEP? Në vendimin për gjobitjen, AKEP deklaron se “kontrolli mbi këtë kompani nisi për shkak se ajo nuk ishte kontrolluar për më shumë se tre vjet”. Kjo fjali i drejtohet ish-kreut të AKEP, Pirro Xhixha, babai i deputetes Erisa Xhixho i cili e kishte nën kontroll aktivitetin e UNIFI. 

Tashmë i gjithë episodi është zbardhur dhe nga vetë SPAK./ZËRI

Poll

MOS HUMB