
TIRANË- Kreu i grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit në lidhje me shantazhet që i janë bërë atij në aplikacionin “Signal”. Por, teksa Bardhi po shkonte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme i ndodhi një incident. Makina që e solli në SPAK, ka përplasur një motorist. Pasi incidenti ka ndodhur, shoferi i mjetit shkoi menjëherë pranë motoristit që t'i vinte në ndihmë. Ndërsa Bardhi nuk kuptoi asgjë nga ajo që ndodhi.
Teksa futej në SPAK u tha gazetarëve: Ra ndonjë gjë atje!?

Bardhi shkoi sot në SPAK ku la edhe celularin e tij. Pas më shumë se 40 minutash, Bardhi bëri me dije nga mediat e pranishme se në Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit i është bërë me dije zyrtarisht se bisedat ku përmendet emri i tij janë të falsifikuara. Në fjalën e tij, Bardhi tha se janë falsifikuar firmat e OPGJ-ve, por nga drejtuesi i SPAK, Altin Dumani dhe Alfred Shehu i është bërë me dije se formati që prezantohen bisedat e Ervis Martinajt dhe Erigers Mihasit nuk janë të formatit që SPAK aplikon për zbardhjen e përgjimeve në aplikacionin "SkyEÇ". Po ashtu, ndër të tjera demokrati u shpreh se përveç tij, ka pasur edhe persona të tjerë që kanë marrë mesazhe të ngjashme, por nuk i bëri me dije emrat e tyre. Për të, e gjitha bëhet për të shantazhuar opozitën dhe një deputet të Kuvendit të Shqipërisë. Por shton se në këtë mënyrë cënohet edhe besueshmëria e SPAK. /ZËRI