
TIRANË- Partia e Lirisë protesoi sot para Prokurorisë së posaçme për arrestimin e kreut të saj Ilir Metës, por ajo që u vu re ishte mungesa e deputetëve demokratë. Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha tha se ata ishin të ftuar të merrnin pjesë, por kjo protestë nuk ishte organizuar nga koalicioni. Berisha tha se PD së bashku me PL-në do ta dërgoj çështjen e arrestimit të tij në Komitetin Antitorturë të Këshillit të Evropës.
"Protestën e organizonte Partia e Lirisë. Demokratët kanë qenë të ftuar të marrin pjesë, por nuk ka qenë organizim i koalicionit kjo protestë. Përkundrazi, PD e konsideron rrëmbimin e Ilir Metës dhe keqtrajtimin e tij, zvarritjen dhe goditjen, si një nga aktet më të rënda të torturës publike të regjistruara nga vitet ’50 gjer sot.
Dhe PD, së bashku me PL do e dërgojë këtë rast përpara Komitetit Antitorturë të Këshillit të Europës, në mënyrë që ata që e organizuan këtë akt, të marrin ndëshkim ndërkombëtar. Akt i verbër i hakmarrjes politike e Edi Ramës ndaj Ilir Metës”, tha Berisha. /ZËRI