Politikë

Përplasje fizike dhe sharje banale në Kuvend-Etika mblidhet online, vendos sot për përjashtimin e 20 deputetëve të PD-së

PS kërkon përjashtimin me 60 ditë për Flamur Nokën, Belind Këlliçin, Fidel Krekën, Edi Palokën, Besart Xhaferrin dhe Luçiano Boçin.

F.I
Përplasje fizike dhe sharje banale në Kuvend-Etika mblidhet online,
PAMJET NGA KUVENDI

TIRANË-Sekretariati i Etikës në Kuvend pritet të mblidhet sot në orën 10:00, përmes një takimi online, për të shqyrtuar kërkesën e paraqitur nga Partia Socialiste për përjashtimin nga punimet e Kuvenit për 20 deputetë të Partisë Demokratike. 

Konkretisht, PS kërkon përjashtimin me 60 ditë për Flamur Nokën, Belind Këlliçin, Fidel Krekën, Edi Palokën, Besart Xhaferrin dhe Luçiano Boçin. Ndërkohë, socialistët kërkojnë përjashtimin me 10 ditë edhe për 14 deputetë të tjerë: Gjin Gjoni, Bardh Spahia, Albana Vokshi, Elda Hoti, Xhelal Mziu, Gent Strazimiri, Enno Bozdo, Kastriot Piroli, Kliti Hoti, Flamur Hoxha, Arjan Ndoja, Ivi Kaso, Zija Ismaili dhe Blendi Himçi.

Kërkesa vjen pas tensioneve gjatë seancës plenare të mbajtur një ditë më parë më 22 tetor, ku në Kuvend pati përplasje fizike mes deputetëve dhe sharje banale.

Sipas kërkesës, Flamur Noka akuzohet se është përplasur fizikisht me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, si dhe me kreun e Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Ndërsa deputeti demokrat Fidel Kreka pretendohet se ka goditur me bllokun e votimit ish-ministrin Ervin Hoxha.

Socialistët ngrenë gjithashtu akuza ndaj Belind Këlliçit, Besart Xhaferrit, Edi Palokës, Fidel Krekës dhe Luçiano Boçit, duke pretenduar se ata kanë fyer dhe kanë goditur me shishe uji deputetë të Partisë Socialiste.

Në argumentimin e tyre, deputetët socialistë përmendin edhe raste të tjera të përplasjeve gjatë procesit të votimit, duke deklaruar se Ervin Hoxha, Arkend Balla, Fadil Nasufi, Agron Malaj dhe Bujar Rexha, mes të tjerëve, janë sulmuar dhe fyer nga deputetë të opozitës. 

Poll

MOS HUMB