TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka bërë publike mbështetjen e Shqipërisë për diplomaten Lana Nusseibeh e propozuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe për postin e Sekretares së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke e cilësuar kandidaturën e saj si një mundësi për një fillim të ri për organizatën.
Në një reagim në platformën X kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi përvojën dhe aftësitë diplomatike të Nusseibeh,me të cilën tha se ishte njohur gjatë periudhës kur Shqipëria ishte anëtare e zgjedhur e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Rama u ndal te sfidat me të cilat përballet sot organizata ndërkombëtare duke theksuar se kandidatura e diplomates mund të sjellë energji të reja në një kohë kur besueshmëria dhe aftësia e OKB-së për të përmbushur misionin e saj po vihen në pikëpyetje.
Një vëmendje të veçantë kryeministri i kushtoi edhe faktit që drejtimin e organizatës mund ta marrë një grua pas një historie me drejtues burra. Sipas tij, profili i Nusseibeh përfaqëson një arsye për të shpresuar për të ardhmen e Kombeve të Bashkuara.
Kryeministri Edi Rama në platformën X:
Emërimi i Lana Nusseibeh nga Emiratet e Bashkuara Arabe për postin e Sekretares së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara përfaqëson një fillim të ri që komuniteti i OKB-së nuk mund ta humbasë dhe Shqipëria ndihet e nderuar t’i japë kandidaturës së saj mbështetjen e plotë.
U njoha personalisht me Lanën dhe pata mundësinë ta shihja në veprim gjatë mandatit të Shqipërisë si anëtare e zgjedhur e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Gjatë kësaj periudhe, pata mundësinë të vlerësoja njohuritë e saj të jashtëzakonshme për politikën ndërkombëtare, përulësinë e saj të veçantë intelektuale dhe aftësinë e natyrshme për të kapërcyer dallimet mes kulturave dhe këndvështrimeve të ndryshme.
Në këtë klimë të zymtë që rrethon sot Kombet e Bashkuara, kandidatura e Lanës përfaqëson një dritë shprese dhe një burim energjie pozitive. Në një kohë kur aftësia e organizatës për të përmbushur misionin e saj po vihet thellësisht në pikëpyetje, ajo sjell përvojë, inteligjencë dhe një përkushtim të palëkundur për t’i shërbyer njerëzimit pa paragjykime.
Dhe, e fundit, por jo më pak e rëndësishmja, pas kaq shumë burrash në krye të organizatës, nuk mund të mendoj për një shpresë më të mirë për Kombet e Bashkuara sesa një grua me një profil të tillë./ZËRI