TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha do të paraqitet në dyert e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ditën e hënë, më 6 janar, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit riktheu masën e detyrimit për paraqitje dy herë në muaj. Mirëpo, pavarësisht se Berishaka pranuar ta zbatojë këtë vendim të drejtësisë, mbështetësit e tij, nuk mendojnë njësoj.
Në strukturat e partisë është shpërndarë një mesazh përmes të cilit u bëhet thirrje të gjithë anëtarëve të Partisë Demokratike që ditën e hënë, në orën 09:30, të mobilizohën për të protestuar në dyert e SPAK, në të njëjtën kohë kur do të mbërrijë edhe vetë Berisha.
Mesazhi i shpërndarë strukturave:
“Të dashur miq! Ditën e Hënë, në ora 09:30, të mobilizojmë të gjithë strukturat tona për të protestuar përpara SKAP-it, si vegël në duart e Ramës për të përndjekur kundërshtarët politikë. Do të jemi aty në mbështetje të së drejtës, ligjit dhe së vërtetës, që janë në anën e Kryetarit të PDSH-s Prof. Dr. Sali Berisha. Ora 09:30, përpara godinës së SKAP-it. Faleminderit!”.
Berisha nuk e ka konsideruar si negative vendosjen e kësaj mase. Në një konferencë me gazetarët, ai e krahasoi veten me Presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kur tha se masat e sigurisë ndaj tij, do t’i shtojnë vota, ashtu siç ndodhi me Trump.