
TIRANË- Deputetët e Partisë Demokratike nuk janë lejuar të futen në Kuvend, ndërsa mazhoranca e ka filluar e vetme seancën parlamentare. Deputetët e opozitës po qëndrojnë jashtë oborrit të Kuvendit dhe kanë bllokuar hyrjet e Parlamentit në mënyrë që të mos lejojnë socialistët të futen në Kuvend. Ndërkohë të gjitha karriget e zëvendësuara të deputetëve të opozitës janë bosh, pasi as ata që nuk janë të përjashtuar nuk janë futur brenda.
Mes deputetëve demokrat dhe socialist ka pasur një përplasje, pasi opozita nuk i lejonte këta të fundit të futeshin në Parlament. Ata mbërritën 90 minuta para se të fillonte seanca dhe bllokuan të gjitha hyrjet dhe po ashtu u përplasen me gardën, pasi nuk i lejoi të hynin deputetët e përjashtuar nga Sekretariati i Etikës.
24 deputetët e PD-së u përjashtuan nga Sekretariati i Etikës deri më dy muaj në seancat plenare për shkak të dhunës dhe kaosit që shkaktuan në Parlament me 30 shtator. Po ashtu, dje pas mbledhjes së grupit parlamentar, Gazment Bardhi u shpreh se Partia Demokratike do të bëjë gjithçka për ta penguar zhvillimin normal të seancave plenare.
Pas arrestimit të deputetit Ervin Salianji, opozita nisi aksionin kundër maxhorancës, duke paralajmëruar protestë (e cila do mbahet në datë 8 tetor) dhe mosbindje civile. Por aksioni nisi të hënën nga Kuvend me opozitën që shkaktoi kaos e tensione, duke bllokuar fillimisht Foltoren. Pas kësaj, deputetët e opozitës dolën jashtë sallës së Kuvendit, duke nxjerrë në oborr edhe të gjitha karriget e tyre, të cilave iu vendosën flakën. Deputeti Flamur Noka shkuli një nga mikrofonat në Kuvend dhe ky veprim e detyroi kryeparlamentaren Spiropali që ta përjashtonte nga seanca. Noka paralajmëroi se e njëjta situatë do të jetë në çdo seancë plenare. Por tashmë, si Noka e Bardhi, edhe 22 deputetët e tjerë janë të përjashtuar. Dënimin më të ulët e ka Edi Paloka, me 10 ditë përjashtim. Përveç kësaj mase, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ka dërguar emrat e deputetëve në SPAK, ku i akuzojnë për disa vepra penale. /ZËRI