
TIRANË-Ligjvënësit do të vendosin në seancën e ardhshme parlamentare mbi fatin e mandatit të deputetit të Partisë Socialiste Vullnet Sinaj. Mësohet se deputetët socialistë do të shfrytëzojnë opinionin e fundit të Komisionit të Venecias në momentin e votimit për të dërguar dosjen “Sinaj” në Gjykatën Kushtetutese ose jo.
Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist të së hënës pasdite, është pohuar se nuk ka një vendim politik për këtë rast dhe se të gjithë deputetët e mazhorancës janë të lirë të votojnë sipas gjykimit personal. Kjo e mbështetur edhe në çfarë është shkruar ndër të tjera në opinionin e Komisionit të Venecias. E gjithë procedura në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin ka përfunduar pas seancave të shumta ku është dëgjuar edhe vetë deputeti Sinaj.
Në mbledhjen e 17 Janarit mazhoranca dhe opozita, edhe pse secila me një raport të vetin, dolën me të njëjtin përfundim, që do të jetë seanca plenare që do të vendosë nëse kërkesa e PD-së “për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj” do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
Vota e demokratëve është publike, të gjithë do të votojnë që çështja të shkojë për vendim në Gjykatën Kushtetutese. Ndërkohë që mazhoranca socialiste mësohet se do të mbështetet tek opinioni i fundit i datës 10 Dhjetor 2024 të Komisionit të Venecias ku ndër te tjera thuhet se deputetëve nuk mund t’u diktohet mënyra se si duhet të votojnë. Ky qëndrim i “Venecias” do të shfrytëzohet nga deputetët e mazhorancës socialiste për të qenë të lirë në vendimmarrjen personale, nëse dosja “Sinaj” të shkojë apo jo në Gjykatën Kushtetuese.
Në mocionin e dorëzuar nga deputetët opozitarë, thuhet se Sinaj ka shkelur Kushtetutën, pasi ka përfituar fonde publike në kundërshtim me pikën 3, të nenit 70 të Kushtetutës, i cili ndalon deputetit që të përfitojë pasuri publike. Opozita pretendon se ekzistojnë 30 prova se si si ligjvënësi i maxhorancës ka përfituar para nga buxheti i shtetit nëpërmjet kompanive të tij gjatë kohës së ushtrimit të mandatit të deputetit.
Socialisti nuk i ka tjetërsuar aksionet, por i ka transferuar te persona të tjerë, dhe për këtë arsye demokratët akuzojnë se ai asnjëherë nuk ka humbur të drejtën e pronësisë mbi kompanitë e tij dhe marrjen e fitimeve. Demokratët shprehen se pronësia mbi këto kompani dhe fakti që fitimet kanë shkuar si divident për vetë deputetin Vullnet Sinaj rezulton i provuar edhe nga deklaratat vjetore të deklarimit të pasurisë nga ana e tij. Firmosësit e mocionit pretendojnë se janë të paktën 9 transaksioneve të verifikuara nga thesari i shtetit në shumën totale 3.689.814 lekë që kanë shkuar si pagesa për shoqëritë “BIGALB GROUP” sh.p.k., “BIG LISUS” sh.p.k., “BIG DURRËSI” sh.p.k., “BIG PESHKOPIA” sh.p.k., “BIG ROI” sh.p.k., “BIG LEO” sh.p.k., “BIG LEZHA” sh.p.k., “BIG DRINI” sh.p.k., “BASHKIMI” sh.p.k., “TIRANA CASH & CARRY” sh.p.k./ZËRI