
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e Jamarbër Malltezit për zbutjen e masës së sigurisë "arrest shtëpie". Avokatët e Malltezit kërkuan shfuqizim të masës, duke pretenduar se bie ndesh me prezumimin e pafajësisë, por pretendimi i tyre nuk u mor parasysh nga trupa gjykuese. Vendimi u dha nga gjyqtarja Flojera Davidhi, e njëjta gjyqtare, e cila vetëm pak muaj më parë ndryshoi masën për kryedemokratin Sali Berisha.
Nga arrest në shtëpi, Berisha u la në detyrim paraqitje 2 herë në muaj pranë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha qëndron në arrest shtëpie që prej fundit të dhjetorit të vitit 2023. Ai fillimisht u vendos në qeli, por masa e sigurisë u zbut në "arrest shtëpie", ku qëndron prej më shumë se një viti. Aktualisht ai është marrë i pandehur në dosjen “Partizani” për veprat penale të “korrupsionit pasiv” dhe “pastrimit të parave”. SPAK i ka mbyllur hetimet për çështjen dhe pritet gjykimi nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar./ZËRI