
TIRANË-Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka reaguar nga burgu, pas arritjes së marrëveshjes së koalicionit mes Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë. Meta bëri thirrje që shqiptarët në diasporë të regjistrohen sa më shumë në orët e fundit. Ndër të tjera, Meta shkruan se bashkimi i koalicionit Partia Demokratike - Aleanca për Shqipërinë Madhështore do sjellë ndryshime.
Ilir Meta: Falenderoj Kryesinë e Partisë së Lirisë, që miratoi sonte me unanimitet marrëveshjen për hyrjen në koalicionin opozitar gjithëpërfshirës "Partia Demokrarike - Aleanca për Shqipërinë Madhështore". Në funksion të Fitores dhe Ndryshimit të shumëpritur më 11 Maj, çdo anëtar dhe simpatizant i Partisë së Lirisë, brenda por edhe jashtë vendit, do të japë kontributin e tij maksimal për shkuljen nga themelet të Narkoshtetit të kalbur, të korruptuar dhe të inkriminuar në çdo qelizë. U bëj thirrje të gjithë bashkëatdhetarëve tanë në diasporë, që në këto orë të mbetura të regjistrohen për të votuar më 11 Maj për të ndëshkuar sektin që dëboi mbi 1 milion shqiptarë në emigrim dhe që nga paniku po tenton çdo manovër për të penguar votën e tyre. Vota masive e shqiptarëve për koalicionin gjithëpërfshirës opozitar "Partia Demokratike - Aleanca për Shqipërinë Madhështore" do të sjellë Ndryshimin. FITORE!