
TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me rastin e Ëngjëll Agaçit, Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave. Këtë herë Rama është shfaqur krah Agaçit, me një video të postuar në rrjetin social Facebook, duke hedhur poshtë pretendimet e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berishës, se ai ishte arratisur për t’i shpëtuar drejtësisë.
Berisha deklaroi se nëse Agaçi është shtruar në spital, atëherë duhet të publikohen fotot të tij nga klinka bashkë me diagnozën. Rama ka zbuluar se Agaçi ndodhej në Itali ku po merrte shërbime mjekësore, ndërsa këtë të martë duket se është kthyer në Shqipëri.
Ëngjëll Agaçi: Përshëndetje të gjithëve ju falenderoj me gjithë zemër për mbështetjen,"-u shpreh Ëngjëll Agaçi.
Edi Rama: Jo të gjithë, por mbështetjen e atyre që mbështeten. Atyre tjerëve, pa merak më 11 maj",- shprehen Rama dhe Agaçi në video.
"Ky është Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, të cilin Bufi i Kënetës e shpalli arratiak në kërkim nga drejtësia dhe e gjithë aradheja kënetore kanal më kanal e portal më portal, ia telendisi familjen e të afërmit, duke batërdisur publikun me kua-kua-kuara të ububushme, teksa tjetri ishte në fije të perit në reanimacion me frymëmarrje të drejtuar, pas një operacioni në zemër që pasoi nga një ndalim i funksionit të mushkërive,"-shkruan Rama bashkangjitur videos.
Në replikat e bëra së fundmi mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha, u diskutua vendndodhja e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Ëngjëll Agaçit. Berisha akuzoi kryeministrin për zhdukjen e Agaçit, ndërsa Rama theksoi se sekretari i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në Itali. Sipas tij, Agaçi ka patur një bllokim të arterieve koronare dhe është operuar në zemër./ZËRI