
TIRANË- Kryeministri Edi Rama dhe kryedemokrati Sali berisha vijojnë të përplasen për rastin e Ëngjëll Agaçit, Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, për të cilin është raportuar se i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në Itali. Në një video të publikuar në rrjetet e tij sociale, Rama e konsideron një turp faktin që Berisha vë në dyshim shtrimin e Agaçit në spital. Sipas tij, Agaçi ka patur një bllokim të arterieve koronare dhe është operuar në zemër. Edhe pas operacionit, kreu i qeverisë thotë se pati një ndalës dramatike pulmonare ose e thënë ndryshe, dalje të mushkërive nga funksioni, gjë që imponoi futjen në aparaturën e frymëmarrjes së aparaturës së drejtuar.
“Prej ditësh këneta ka marrë peng Ëngjëll Agaçin, ka marrë peng gruan, vajzën e tij, nënën e tij të mrekullueshme, familjen, të afërmit, miqtë e tij me ferman të bufit që e shpalli sekretarin e përgjithshëm të kryeministrisë një person në arrati nga drejtësia. Dhe me tamtamet e mushkonjave anofele të kënetës mediatike që hodhën helmin e zëvendësimit të tij, e dyndjes së hetuesve të SPAK në kryeministri, e marrjes së laptopit të sekretarit dhe e syrit që t’u dalë bashkë me Qimen e bufit. Ëngjëll Agaçi studio në Itali drejtësi, u bë pjesë e studiove më të njohura të avokatisë në Romë, ku punoi për shumë vite si një shqiptar dinjitoz për shumë vite.' U kthye në Shqipëri me ftesën time për të shërbyer si këshilltar i përgjithshëm i këshilli të ministrave. Dhe i përket pa asnjë dyshim ajkës së juristëve shqiptarë, po njëkohësisht dhe majës së përkushtimit e profesionalizmit në shërbim të shtetit tonë. Për atë që përfaqëson është vlerësuar dhe me një medalje nderi nga presidenti i republikës italiane. Para disa kohësh u nis në Itali për disa arsye domethënëse shëndetësore. Kaloi në tehun mes jetës dhe vdekjes. Si pasojë e një bllokimi në arteriet koronare, për të cilën u operua në zemër dhe pas operacionit pati një ndalës dramatike pulmonare, me fjalë të tjera dalje të mushkërive nga funksioni. Gjë që imponoi futjen në aparaturën e frymëmarrjes së aparaturës së drejtuar. Pas një periudhe shumë të vështirë në reanimacion, ku mjekët italianë rezervoheshin të jepnin çfarëdolloj sigurie se ai do të dilte nga situata e rëndë ai vazhdon të jetë në mbikëqyrjen e tyre, për të rehabilituar mushkëritë e lënduara rëndë,”- tha Rama.
Ndërsa kryedemokrati Sali Berisha e ka krahasuar historikun e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave Ëngjëll Agaçi me atë të ish-bossit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj që rezulton i zhdukur që prej gushtit të vitit 2022. Në një konferencë me gazetarët, Berisha thotë se nëse Agaçi është shtruar në spital, atëherë duhet të publikohen fotot të tij nga klinka bashkë me diagnozën. Por, sipas tij, të vetmet foto që vijnë nga Roma janë ato të shkrepura në kafene ku është ulur Agaçi.
Fjala e Berishës:
Ka një shembull. Një nga personalitet më të fuqishme të planetit, Papa Francesku ndodhet në spital dhe selia e Shenjtë në respekt të besimtarëve katolikë dhe qytetarëve të botës, lëshon çdo ditë komunikatë. Tani historiku i Engjëll Agaçios, ai ka një muaj që është zhdukur, është zhdukur. Nuk tregojnë as spital, as klinikë, përkundrazi nga Roma vijnë fotografi në kafene. Po të ishte se, është e vërtetë, ai tregon spitalin, klinikën. Të pyes pak unë këtu Edi Ramën. Po zotrote kur hoqe zorrën qorre, ç’të shtyu ty të botosh fotografinë ditën e dytë të operacionit, apo ditën e parë. Pse ti operacionin në trupin tënd nuk e mbajte sekret, por e nxorre në publik dhe na mbajte dy javë rresht zorra qorre, sa të doli në gojë. Kurse tani për Agaçion, sekret spitali, sekret largimi dhe jo vetëm kaq. Por jo vetëm kaq, por emërohet Vilma e pushuar nga Ambasada e SHBA për fshehje akti kriminal, të një punonjësi tjetër, dihet. Ka fshehur, dhe kjo njeri e papërgjegjshme që pushohet nga ambasada e SHBA me të drejtë, sepse ka fshehur një akt dhune, jo punonjës të ambasadës, por ndaj një punonjësi ndaj nje tjetri, ka fshehur dhe shkarkohet për këtë punë, nuk e di ca pozicioni kishte, ajo merret tani dhe emërohet në vend të Engjëll Agaçit.
Atëherë, sigurisht që Edi Rama do ta donte krejt ndryshe Engjëll Agaçin, me këto që po shoh unë, por e vërteta është se, dy të zhdukur janë në Shqipëri, Engjëll Agaçi dhe Martini. Këta nuk kanë gjurmë të dy, nuk ka të zhdukur të tjerë. Nuk kam idenë se ka të tjerë të zhdukur, nëse keni më thoni. Pra janë dy të zhdukur, të dy të lidhur me Edi Ramën. Tani të na thotë ai, se ka qenë sekretari i Përgjithshëm, nuk mund ta fshehë në këtë mënyrë, akt i turpshëm ndaj shqiptarëve. Është në spital, në cilin spital është, njoftoje. Për veten tënde e njofton, të nesërmen e operacionit, kurse për atë që i kanë konfiskuar laptopin e fsheh atë. Këtu lindin dyshime shumë të mëdha. Me këtë qëndrim që mban Edi Rama, lindin dyshime madhore. Nëqoftëse ai është në spital, të botojë fotot, të botojë komunikatën, të mos thotë saktësisht diagnozën se ndoshta nuk do me ja nxjerrë... Bllokimi i arterieve koronare, sidoqoftë të faktojë me dokumente, nëse ai është me këtë patologji, i uroj ta kalojë dhe të bëhet përgjegjës para ligjit për të gjitha ato që ka kryer. Por është njëlloj si të besoj Edi Ramën, që thotë mora pyetje nga Eduardi që më thotë se, po ato lidhjet me Sorosin si i ke, dhe ky flet me vete, duke mashtruar shqiptarët. Eduardi ekziston vetëm në mendjen e tij, është vetë Edi Rama. Kur gënjen në çdo gjë është e vështirë të besohesh.
Zyrtarisht për Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Ëngjëll Agaçi është raportuar se i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale në Itali. Rreth 3 javë më parë, gjatë një udhëtimi privat për në Itali, Agaçi ka shfaqur disa simptoma për të cilat ka kryer edhe disa kontrolle mjekësore. Sipas diagnostikimeve, mjekët kanë rekomanduar një ndërhyrje të menjëhershme kirurgjikale. Lajmin e konfirmoi edhe Këshilli i Ministave, duke sqaruar se Agaçi ishte në proces rikuperimi. Por nuk zbulojnë se nga cila sëmundje vuan zyrtari i lartë. Edhe pse në gjendje të stabilizuar, do t'i duhet kohë për t'ju rikthyer detyrës në Kryeministri, në postin e sekretarit të Përgjithshëm. Ëngjëll Agaçi, 56 vjeç, mban funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, të Republikës së Shqipërisë nga data 15 shtator 2013.