TIRANË- Kryeministri Edi Rama mori pjesë në edicionin e dytë të eventit Matchmarket Albania. Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se Shqipëria nuk është një vend që vuan nga krimi dhe korrupsioni dhe këtë, sipas tij, e tregojnë faktet. Më tej, Rama tha se Shqipëria është një vend që pret 12 milionë turistë dhe 1.6 miliardë euro investime në vit dhe shtoi se kjo tregon se vendi nuk vuan nga korrupsioni, pasi e ka lënë pas këtë.
“Nuk do të përmend trafikantët, xhirot dhe qarkullimin e drogës nëpër botë, nuk do të bëj asnjë lloj krahasimi. Kjo nuk do të thotë se jemi më të mirë se të gjithë. Por për gjithkënd që thotë jemi më të këqij, i them shihni veten, dhe le të bëjmë punën tonë, më të mirën. Ne po e bëjmë, po bëhemi çdo ditë e më të mirë. Sot si dëshmi ndryshimi, kemi ecur nga një vend me pak muaj turizmi, me pak milionë turistë, 300-400 mln investime të huaja të drejtpërdrejta, në një vend me shumë më tepër muaj turizmi, me 12 mln turistë, dhe 1.6 mld investime të drejtpërdrejta në vit. Nuk më duket një vend që po vuan nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, por po më duket një vend që po i lë pas, ky është fakt. Në fakt do të isha shumë i lumtur nëse do të bëhej një votim i fshehtë këtu, do të doja votim për ata që investojnë në Shqipëri, më një pyetje shumë të thjeshtë, a keni pasur raste të korrupsionit në vendin tonë, jam i bindur që do të marr përgjigjet me 98% jo. Ne synojmë ta bëjmë 100%. Të gjithë ata që këndojnë këtë refren çdo ditë, u them të ndalen”, tha Rama.
Deklarata e Ramës vjen pas fjalës së komisioneres për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, e cila gjatë një forumi të organizuar nga “Politico” foli për korrupsionin në Shqipëri, raste të cilat sipas saj janë luftuar nga SPAK, por pretendoi se janë pranuar nga vendi ynë. Sipas saj, nëse korrupsioni pranohet si diçka normale, atëherë përpjekjet ligjore nuk janë të mjaftueshme.
“Ti mund të kesh legjislacionin më të mirë për të luftuar korrupsionin,- por nëse korrupsioni është i pranuar në vend, atëhere ke një problem tjetër. Kështu që të gjitha ato vende janë duke kaluar përmes këtij procesi të ndryshimit të mendësisë ndaj korrupsionit dhe kjo do pak kohë”.-deklaroi Kos.
Deklarata e saj solli reagime edhe nga Partia Demokratike, ku demokratët e cilësuan si të papranueshme./ZËRI
