Aktualitet

"Njeriu ka bërë shumë mirë që e ka shpikur Zotin"/ A beson kryeminsitri? Rama: Diçka personale, nuk ndihem rehat për të folur

Rama u shpreh se nuk ndihet rehat kur vjen puna për të folur për besimin, pasi kjo është një çështje shumë personale.

l.k
"Njeriu ka bërë shumë mirë që e ka shpikur
Edi Rama

TIRANË-  Kryeministri Edi Rama, në një intervistë me gazetaren Monika Stafa për librin e tij të sapo botuar, të titulluar “Në Sofrën e Hënës”, u pyet për besimin e tij në Zot. Rama u shpreh se nuk ndihet rehat kur vjen puna për të folur për besimin, pasi kjo është një çështje shumë personale.

“Unë asnjëherë nuk e kam ndierë veten rehat për të folur për diçka kaq personale sa ç’është besimi. Nuk jam me siguri një njeri që frekuenton tempuj, natyrisht i shoh me shumë respekt dhe kuriozitet, por nuk i frekuentoj. Por kur vjen puna tek vetë besimi, nuk ndihem rehat të flas sepse është diçka e vështirë për t’u treguar, sepse është shumë personale. Njerëzit e shohin dhe e kuptojnë ekzistencën e diçkaje që thuhet me emra të ndryshëm, por në të gjitha rastet ka një emërues të përbashkët: besimin tek një fuqi, tek një energji, tek një hapësirë jashtë vetes. Kështu që e kam shumë të vështirë të flas për të,” tha Rama.

Gazetarja Stafa e pyeti: “Ju jeni i krishterë dhe jetoni çdo ditë me mendimin se besimet pasqyrohen tek njëri-tjetri. Si keni arritur në këtë përfundim?”

Në përgjigjen e tij, kryeministri tha se ai është i pagëzuar katolik dhe se familja e tij është e krishterë. Ai shtoi se nuk bën pjesë tek ata të krishterë që zënë radhë për të hyrë në Kishë, pasi nuk ka këtë koncept për fenë. Sipas tij, kjo e ndihmon për të parë pa rezerva fetë e tjera dhe për t’i kuptuar.

Në rrëfimin e tij, Rama shprehet se librat e shenjtë duken të shkruar nga një autor i vetëm, duke iu referuar kështu Biblës dhe Kuranit.

“Shiko, unë jam pagëzuar katolik nga gjyshja ime dhe ky është një fakt. Jam i krishterë nga familja dhe ky është një fakt. Por nuk jam në rreshtin e të krishterëve që zënë radhën për të hyrë në derën e Kishës dhe i nënshtrohen ritualeve të tyre, sepse nuk e kam kështu të konceptuar marrëdhënien me fenë. Kështu që kjo më ndihmon të shoh pa asnjë rezervë edhe fetë e të tjerëve dhe të kuptoj se tek të gjitha fetë reflektohet i njëjti Zot. Në fund të ditës, librat e shenjtë duken të shkruar nga i njëjti autor, që është një dhe i vetëm. Në këtë drejtim kam krijuar edhe idenë për të ndërtuar Parkun e Besimit, një hapësirë ku nuk ka Kisha, Xhami, Sinagoga apo tempuj të tjerë, por ku përmes luleve, pemëve, frutave dhe tregimeve të librave të ndryshëm të shenjtë, njihemi me fetë e ndryshme, ndërkohë që tavanin e kemi qiellin, që i bashkon të gjithë, dhe jo tavanin e Kishës apo Xhamisë,”- tha ai.

Gazetarja pyeti gjithashtu për ata që mendojnë se besimet janë të shpikura nga vetë njeriu. Rama u shpreh: “Unë mendoj që edhe sikur Zoti të mos ekzistonte, njeriu ka bërë shumë mirë që e ka shpikur. Më mirë me Zot, se sa pa Zot.”

Më 5 mars të këtij viti, Rama promovoi librin e tij “Në Sofrën e Hënës”, një përmbledhje e disa fjalimeve të mbajtura në iftare të organizuara prej tij ndër vite. Rama shpjegoi se Sofra e Iftarit bashkon njerëzit përtej dallimeve dhe vijave që i ndajnë, dhe e ka nxitur të mësojë më shumë për kulturën dhe traditat e fesë islame. 

“Libri është një përmbledhje e mbrëmjeve të iftarit, që kam pasur kënaqësinë dhe privilegjin t’i organizoj, duke çelur një traditë që shkon përtej atyre që agjërojnë. Sofra e Iftarit është përtej agjëruesve. Ka qenë shtysa e disa miqve myslimanë që agjërojnë, që të përmbledhja këto fjalë në këtë libër. Unë doja që prezantimin ta bënim në mënyrë modeste. Sofra e Iftarit na bën bashkë përtej vijave që na ndajnë në bulevard. Ka qenë shtysa e miqve myslimanë, që më ka nxitur të hyj më thellë në kulturën e islamit. Ka një thesar kulturash që vijnë tek ne nga feja dhe që duhet të kenë adhurimin tonë. Nga detyra kam njohur profesorë të nderuar të fesë islame. Parathënien e ka shkruar ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe,” tha Rama gjatë promovimit të librit.

Kryeministri ka qenë shpesh objekt kritikash lidhur me qëndrimet e tij për besimin, ku shumë kritikë e kanë cilësuar si hipokrit, pasi sipas tyre ai përdor besimin në bazë të interesave personale për të ndikuar tek faktorë ndërkombëtarë./ZËRI

Poll

MOS HUMB