Politikë

PD mësyn tek Sekretariati i Etikës, Noka heq sërish mikrofonat: Ju përfaqësoni krimin!

Mbledhja ishte parashikuar që të zhvillohej në orën 15.00, por me mësyrjen e demokratëve në sallë, nuk u zhvillua.

k.m.
PD mësyn tek Sekretariati i Etikës, Noka heq sërish mikrofonat:
Pamje nga mbledhja

TIRANË- Opozita ka bllokuar mbledhjen e Sekretariatit të Etikës, ku deputetët e Partisë Socialiste do të ndëshkonin 24 deputetët e PD që dogjën karriget e Kuvendit. Mbledhja ishte parashikuar që të zhvillohej në orën 15.00, por me mësyrjen e demokratëve në sallë, nuk u zhvillua. Pasi hynë në sallë, demokratët kërkuan që nga mbledhja të përjashtoheshin efektivët e Gardës që ishin prezent në sallë.

Më pas, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka pas debateve me kryetaren e Sekretariatit, Klotilda Bushkën, shkuli mikrofonat derisa socialistët ikën nga salla. Në këto kushte, Bushka u detyrua që të ndërpriste mbledhjen.

MOMENTI ME VIDEO:

Noka: Ju përfaqësoni krimin e organizuar, ju jeni hajdutët e këtij vendi
Bushka: Po mos bërtisni! Do uleni në vend apo jo?
Noka: Garda përjashta!
Bushka: Mikrofonin për çfarë e hiqni!
Noka: Jeni hajdutë, edhe ju bashkë me ta. I keni vënë flakën Shqipërisë.
Korreshi: Të na rrojë Edi Rama!

Pasi e arritën qëllimin me shtyrjen e mbledhjes, Noka foli jashtë për mediat duke përsëritur edhe njëherë se demokratët nuk do të njohin asnjë vendim të maxhorancës. Po ashtu, paralajëmroi trazira edhe për seancën e nesërme plenare. Megjithatë nuk ndau asnjë detaj nga plani i opozitës për nesër.

Noka: Kjo është fytyra e këtij regjimi, bandë hajdutësh. Mendojnë se me kërcënime të tilla dhe duke shfryrë duf dhe mllef ndaj opozitës mund ta intimidojnë. Kurrë nuk kanë për t’ja arritur, ka mbaruar ajo ditë kur bënin ctë donin më opozitën. Opozitën do ta kenë përballë në mosbindje civile. Ne datë 7 në orën 18:00 në Tiranë, e gjithë Shqipëria në Tiranë, mosbindje civile për t’i dhënë rrugë qeverisë teknike dhe kjo Shqipëri të shpëtojnë nga çeta e hajdutëve dhe t’i kthehet demokracisë.

Pyetje: A do jeni në Kuvend në seancën e radhës?

Noka: Ju mendoni se deputetet e PD-së do të njohin vendimet e "narcos", ne jemi përfaqësues të popullit opozitar, të atij populli që nuk pranon Shqipërinë Narkos, hajdutët dhe çetat, Alibabën dhe nuk pranon që Shqipëria të shpopullohet si pjesë e një projekti antishqiptar. Ne do jemi aty, nuk njohim asnjë vendim.

Sekretariati i Etikës ishte planifikuar të mblidhej sot për të marrë masa ndaj deputetëve të Partisë Demokratike në lidhje me dhunën që ndodhi më 30 shtator në Kuvend. Partia Socialiste kërkoi marrjen e masës disiplinore ndaj 24 deputetëve të PD. Masë disiplinore është kërkuar ndaj deputetëve: Gazmend Bardhi, Flamur Noka, Bledion Nallbati, Edi Paloka, Saimir Korreshi, Lefter Geshtenja, Luan Baçi, Dashnor Sula, Agron Gjekmarkaj, Dhurata Çupi, Xhelal Mziu, Ina Zhupa, Zheni Gjergji, Helidon Bushati, Lindita Metaliaj, Ramadan Lika, Asllan Dogjani, Qani Xhafa, Flamur Hoxha, Isuf Çela, Kastriot Piroli, Lodovik Hasani, Kasem Mahmutaj, Edmond Spaho. /ZËRI

Poll

MOS HUMB