BRUKSEL-Në Bruksel (26 maj) u mbajt Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-BE, e cila hap zyrtarisht rrugën për kalimin e vendit tonë në fazën përmbyllëse të negociatave për anëtarësim në BE. Takimi zgjati mbi një orë dhe më pas, kryeministri Edi Rama mbajti një konferencë për mediat bashkë me Komisioneren për Zgjerimin Marta Kos dhe zëvendësministren për Çështjet Europiane e Qipros, Marilena Raouna.
Sot Rama ka ndarë prapaskenat para takimit, ku shfaqet në shoqërinë e ministrave Ferit Hoxha, Besfort Lamallari, Toni Gogu e Delina Ibrahimajn, si dhe kryenegociatoren Majlinda Dhuka duke diskutuar sesi do të vijojë axhenda. Më pas në video shihet një përmbledhje e disa momenteve nga takimi me Marta Kos.
View this post on Instagram
Edi Rama: Ça kemi tani, çfarë do bëjmë?
Ferit Hoxha: Të zakonshmen. Presidenca hap mbledhjen, pastaj e merr fjalën Marta Kos dhe thotë fjalët më të mira, për hir të së vërtetës, presidenca e Qipros ka qenë shumë e mirë. I jep fjalën hapëse kryeministrit, fjala mbyllëse është përmbajtësore, fjala hapëse është e bukur.
Edi Rama: We accept (ne pranojmë) do ta themi tani...
Majlinda Dhuka: Po patjetër, se është për efekt të procedurës.
Edi Rama: Do you accept to marry him?(Pranon ta marrësh për burrë?) Yes, i do. (Po, pranoj.) Do you accept to marry her? (Pranon ta marrësh për grua?) Yes i do. (Po, pranoj.)
KONFERENCA
Komisionerja europiane për Zgjerimin Marta Kos e cilësoi progresin e Shqipërisë si një moment shumë të rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Gjatë fjalës së saj Kos deklaroi se, pas Malit të Zi, Shqipëria është vendi i dytë që ka arritur të përmbushë piketat e ndërmjetme të negociatave, duke theksuar se puna e realizuar gjatë dekadës së fundit ka dhënë rezultate konkrete. Kos u ndal edhe tek reforma në drejtësi, ku vlerësoi punën e SPAK.
Marta Kos: Jemi për të shënuar një hap të rëndësishëm të Shqipërisë për anëtarësimin ën BE, pas Malit të Zi, Shqipëria është vendi i dytë që ka arritur të plotësojë piketat e ndërmjetme. Puna juaj e 10 viteve ka qenë e suksesshme. Janë hedhur hapa në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë, ka frenuar ndërhyrjen e politikës në sistemin gjyqësor. SPAK ka vërtetuar se mund të japë rezultate dhe të bëhet institucioni më i besuar në Shqipëri. Ky është një themel i fortë për të punuar mbi të. Sot ne po vendosim me vetëbesim edhe termat përfundimtarë të rrugëtimit në BE-së. Arritja e sotme çel një fazë të re të bisedimeve të zgjerimit dhe bën të mundur për Shqipërinë të ecë përpara me mbylljen e kapitujve. Ky është momenti për të kremtuar dhe intensifikuar punën. Ne vijojmë të mbështesim punën e Shqipërisë për mbylljen e negociatave në vitin 2027. Pritet progres i mëtejshëm. Mbëtetemi te Shqipëria për të konsoliduar reformat dhe kjo duhet të përfshijë të gjitha forcat politike dhe shoqërinë civile në vend.
Nërkohë kryeministri Edi Rama deklaroi se rrugëtimi europian i Shqipërisë është “i pakthyeshëm”, ndërsa e cilësoi procesin e integrimit në Bashkimin Europian si një proces të rëndësishëm shtet-ndërtues. Rama theksoi se vendi nuk ka plan B dhe misioni mbetet vetëm anëtarësimi në Union, me çfarëdo propozimi që jep Brukseli dhe veçanërisht të bazuar në meritë.
Edi Rama: Jemi vendi më proevropian në BE, e thotë barometri dhe jo ne. Ne jemi talebanët e Evropës, ne do bëjmë gjithçka për të hyrë brenda, ne do luftojmë për të hyrë brenda, por ka edhe pika për t’iu marrë në konsiderata. Ne nuk po heqim dorë nga anëtarësimi me të drejta të plotë, ne po flasim për një dinamikë të re, një dinamikë që ndikohet nga faktorë të jashtëm nga ajo që është rënia e Evropës. Nuk do të thotë krijimi i një Evrope me dy klase, me dy kategori, por për të bërë atë që bëri Helmut Koli vite më parë ku deklaroi kundër çdo parashikimi për Gjermaninë. Shumë gjëra rrugës ndryshuan dhe bashkimi u bë gjithnjë edhe më politik por edhe realitet. E kam dëgjuar shumë herë nga udhëheqës evropianë që janë këtu që do presim të reformojmë BE-në pastaj do ju marrim atje. Por nuk është kështu, nuk duhet të jetë kështu. Duhet të kuptojmë se ka ardhur koha ta luajmë ndryshe lojën tonë. Kur vjen fjala te Shqipëria ne nuk kemi plan B, nuk kemi asnjë alternativë tjetër, ne kemi jetuar me alternativa për shekuj të tërë. Ne jemi pjesë e kësaj për çfarëdo që të duhet, për çfarëdo plani. Kemi një plan rritje për gjithçka ose për asgjë. Nuk duhet të krijojmë Evropë me dy nivele qytetarie, por me një Evropë tërësisht të integruar, me disa faza, duke respektuar metodologjinë në fuqi, duke u bazuar te procesi në meritë sepse ai është i mirë edhe për ne. Sepse na ndihmon që të bëhemi edhe një demokraci funksionale.
Rama komentoi edhe propozimin e kancelarit gjerman Friedrich Merz për anëtarësimin gradual të vendeve kandidate në BE. Kreu i qeverisë e cilësoi si të rëndësishëm dhe të mirëpritur fokusin e shtuar të Gjermanisë ndaj procesit të zgjerimit të BE-së, duke theksuar se një qasje e re është e nevojshme në kushtet aktuale globale.
Edi Rama: Është shumë me interes dhe e mirëpritur vëmendja e veçantë që kancelari gjerman i kushton zgjerimit dhe ne e vlerësojmë shumë këtë. Ka qenë një temë që për disa ishte tabu dhe për ne nuk ishte tabu. Unë personalisht jam i kënaqur me këtë sepse u bënë disa vite që mendoj se duhet gjetur një mënyrë krijuese sepse jemi në një botë krejt të re. Europa ka një luftë me të cilën duhet të merret në tokën e saj dhe shumë sfida me të cilat duhet të përballet. As qeveria e Shqipërisë dhe as ndonjë qeveri e Ballkanit Perëndimor, por vetë PE ka nxjerrë një raport që tregon se mbajtja jonë jashtë është më e kushtueshme se ajo brenda. Letra jonë u është drejtuar vendeve anëtare. Duhet ta shohim gjerësisht, pa nevojën për të provokuar ndokënd, kandidatët nuk duhet të ndahen.