
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zgjedhur që të mos zbulojë detaje që sot për çeljen e fushatës elektorale, e cila do të hapet nesër në sheshin "Skënderbej". Sot në një konferencë me gazetarët, Berisha zgjodhi që të ishte hermetik, duke premtuar se do të kishte shumë supriza. I pyetur në lidhje me përkimin e hapjes së fushatës në 40-vjetorin e vdekjes së Enver Hoxha, kryedemokrati, e cilësoi si një shenjë. Por pa përgjigje la parashikimin e tij sesa mandate do të marrë Partia Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
"Unë nuk jam përqindje dhe numra, sepse unë nuk jam profet. Nuk marr rol profeti. Ajo çka bëj unë, dhe po përpiqem me gjithë forcën time, të sigurojë një mbështetje madhore, kombëtare të qytetarëve shqiptarë dhe ndërkombëtare për fitoren e 11 majit. Dhe besoj se këto janë evidente, janë evidente,"-tha Berisha.
PJESË NGA KONFERENCA:
Andon Kello, ABCNeës: Ditën e nesërme ju çelni fushatën elektorale. A është rastësi që data që keni caktuar, korrespondon me 40 vjetorin e vdekjes së Enver Hoxhës ish-diktatori i fundit shqiptar. Pyetja e dytë, a keni ju një parashikim si kundërshtari juaj, se sa mandate merr koalicioni për ‘Shqipërinë Madhështore’ në 11 maj?
Sali Berisha: Tani, pyetja e parë kishte të bënte me koincidencat, asnjë lidhje nuk ka. Nuk kanë lidhje. Tani të themi të vërtetën, po ta bënte PS-ja e cila e ka at shpirtëror dhe ka lidhje në krim me nomenklaturën, Edi Rama edhe mund të shkonte mendja. Jo, nuk ka asnjë, i ra dita që duhet bërë dhe është dita e fitores. Kjo datë është një shtytje më e fuqishme akoma për demokratët për të fituar në 11 maj. Pyetja e dytë, siç e kam theksuar, unë nuk jam përqindje dhe numra, sepse unë nuk jam profet. Nuk marr rol profeti. Ajo çka bëj unë, dhe po përpiqem me gjithë forcën time, të sigurojë një mbështetje madhore, kombëtare të qytetarëve shqiptarë dhe ndërkombëtare për fitoren e 11 majit. Dhe besoj se këto janë evidente, janë evidente. Ju shifni entuziazmin që ekziston dhe optimizmin e ligjshëm që ekziston sot në Shqipëri. Ju e keni konstatuar dhe e konstatoni superentuziazmin që ekziston në shqiptarët jashtë vendit, për këto zgjedhje. Ju dhe gjithë shqiptarët e panë, e morën vesh qëndrimin e prerë të komunitetit ndërkombëtar, vendosmërinë e tyre për të mbështetur me të gjithë potencialin që kanë, votën e lirë të shqiptarëve. Këto mund të them.
Daniela Maloku, ReportTV: Pyetja ime lidhet me nisjen e fushatës ditën e nesërme, cilat do të jenë surprizat e PD në këtë çelje të fushatës dhe ku do të përqendrohet fushata e PD?
Sali Berisha: Tjetër, se do ti ndaj kështu. I bëni disa jashtë programit, por unë i pranoj nuk i kundërshtoj. Nuk jam si ai që flet me veten, ai flet me veten. Shkoni, bëni atij një pyetje nuk i bëni dot. Kurse unë kam kënaqësi dhe kam detyrim të përgjigjem. Fushata surprizë, por nëqoftëse thuhen surprizat sot, atëherë, ato janë jo. Problemi është se, çifti dashurohet muaj apo vite, por e ka një ditë që ndryshon dhe paraqitet krejt tjetër dhe të gjithë pavarësisht se i kanë parë qindra e mijëra herë, vrapojnë ti shohin atë ditë si çift, me kostumin e nusërisë. Ndaj dhe të gjitha surprizat janë nesër./ZËRI