Politikë

“11 Maji”/ OSBE: Presioni dhe shit-blerja e votës, shqetësuese! Çela: Prokurorë dhe SPAK pranë KQZ-së

Çela gjatë fjalës së tij theksoi angazhimin e plotë të institucioneve të linjës

F.I
“11 Maji”/ OSBE: Presioni dhe shit-blerja e votës,
PAMJE NGA TAKIMI

TIRANË-Një ditë para nisjes së fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit, OSBE dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë organizuar ditën e sotme një tryezë teknike për forcimin e rolit të prokurorëve në luftën kundër krimeve zgjedhore. Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran i kujtoi institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë rëndësinë të bëjnë detyrën e tyre për hetimin e krimeve zgjedhore.

Në fjalën e tij Tarran theksoi se në raportet përfundimtare të ODIHR për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 dhe ato vendore të vitit 2023 janë vënë në dukje se krimi zgjedhor, në veçanti shitblerja e votës, keqpërdorimi i burimeve të administratës dhe frikësimi i votuesve vazhdojnë të jenë çështje shqetësuese.

"Sigurimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme kërkon institucione të forta, llogaridhënie, transparencë dhe angazhim të palëkundur ndaj shtetit të së drejtës. Prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore dhe përfaqësuesit e Policisë së Shtetit kanë detyrën thelbësore të hetimit, ndjekjes finale dhe luftës kundër krimit zgjedhor. Megjithëse është bërë përparim raportet përfundimtare të ODIHR për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 dhe ato vendore të vitit 2023 vënë në dukje se krimi zgjedhor, në veçanti shitblerja e votës, keqpërdorimi i burimeve të administratës dhe frikësimi i votuesve vazhdojnë të jenë çështje shqetësuese. Të dyja raportet rekomandojnë që organet ligjzbatuese të bëjnë çdo përpjekje për të identifikuar dhe hetuar në mënyrë të pavarur të gjitha akuzat për shkelje zgjedhore, përfshirë shitblerjen e votës, presionin ndaj votuesve dhe keqpërdorimin e burimeve të administratës në mënyrë të plotë, të shpejtë dhe transparente,"-u shpreh Tarran.

Ndërkohë prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela gjatë fjalës së tij theksoi angazhimin e plotë të institucioneve të linjës, duke përfshirë prokurorët e posaçëm dhe Policinë gjyqësore, për parandalimin dhe ndëshkimin e krimeve zgjedhore.

"E rëndësishme sjellja në një tryezë e shoqërisë civile, që ka spikatur me rolin e saj në fushën zgjedhore dhe krimin zgjedhor dhe të atyre që janë në terren si prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore. Në këtë kontekst shkëmbimi i eksperiencave, diskutimi për prioritetet në hetimin e krimeve zgjedhore, por dhe njohja e prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore me fenomenet për parregullsitë që vihen re gjatë procesit zgjedhor, vlerësimin e tyre në një pjesë të rasteve si shkelje të ligjit që përbën vepër penale, do të jetë risi jo vetëm në ndërgjegjësimin e prokurorëve dhe oficerëve të policisë për atë që ndodh gjatë procesit zgjedhor por do t’i bëjë ata edhe më të ndjeshëm për të kuptuar rëndësinë e rolit tonë gjatë këtij procesi. Ajo që ne synojmë është transmetimi i shpejtë i informacionit, vlerësimi në kohë reale ndaj çdo sinjalizimi për çdo shkelje që bëjnë vepër penale”, tha ai.

KQZ, Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK kanë bashkuar fuqitë në këto zgjedhje për të luftuar krimin elektoral përmes një marrëveshjeje./ZËRI

Poll

MOS HUMB