Politikë

2 muaj në paraburgim! Veliaj nga burgu: Jam ende pa akuzë, faleminderit që i rrini afër familjes...S'do ua harroj kurrë!

Erion Veliaj ka kujtuar se sot mbushen 2 muaj nga arrestimi i tij të cilën e ka cilësuar si "burgim pa gjyq".

k.m.
2 muaj në paraburgim! Veliaj nga burgu: Jam ende pa akuzë,
Erion Veliaj

TIRANË- Kryebashkiaku i arrestuar i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është "rikthyer" me statueset e tij nga qelia e paraburgimit të Durrësit. Në një postim në rrjetet e tij sociale, Erion Veliaj ka kujtuar se sot mbushen 2 muaj nga arrestimi i tij të cilën e ka cilësuar si "burgim pa gjyq". Ai shtoi se ndodhet në burg ende pa asnjë akuzë, duke ngulur këmbë në pafajësinë e tij. Po ashtu, një mesazh e kishte dhe për politikën dhe familjen e tij.

POSTIMI I ERION VELIAJT:

Të dashur miq, Sot mbushen 2 muaj nga burgimi im pa gjyq - larg familjes, gruas, djalit të vogël dhe nënës. Por, edhe larg punës në bashki e fushatës, dy pasioneve të jetës sime. Doja vetëm t’ju falenderoja për mirësinë e mbështetjen ndaj Kait dhe Ajolës, si dhe dy nënave tona - 3 gra pa burrat e tyre, por me kurajo e dinjitet falë jush që u jeni gjendur pranë! Jam ende pa akuzë prej një anonimi që nuk ekziston. S’ka dalë askush që të kem korruptuar. Ende askush që të më ketë korruptuar. Kush më njeh e di që në çdo ditë të punës time kam ndihmuar këdo, kudo e kurdo me ndershmëri. Ndaj, meqë më janë ndaluar opinionet mbi këtë proces grotesk, atyre që i janë gjendur familjes sime, iu them nga zemra “Faleminderit”! Nuk do t’ua harroj kurrë! Bekime dhe mall për ju të gjithë.

Erion Veliaj u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash OJF. Kështu kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në 9 raste. Veliaj akuzohet se ka përfituar vila në Qerret, ndërsa Xoxa akuzohet se ka shpenzuar rreth 890 mijë euro në blerje veshjesh dhe bizhush online. Veliaj është lënë në masën "arrest me burg", ndërsa Xoxa në "detyrim paraqitje", ndërsa për 6 biznesmenët që dyshohen se kanë bashkëpunuar me Veliajn janë lënë në "arrest shtëpie" dhe "detyrim paraqitje."/ZËRI

Poll

MOS HUMB