
TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka deklaruar se Opozita nuk do të ndalet me mosbindjen civile që do të nisë nesër, deri në pranimin e ngritjes së një qeverie teknike. Nga shtëpia ku është mbyllur me urdhër gjykate, Berisha tha se nesër qeveria do të njihet me përgjigjen që do t’i japin qytetarët në shenjë revolte. Sipas tij, mosbindja civile është rruga e vetme që i ka mbetur shqiptarëve dhe se është diçka që kërkohet prej tre vitesh.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Nesër në Shqipëri, fillon mosbindja civile, pa kthim, deri në vendosjen e qeverisë teknike. Në prag të këtij eventi historik, unë dua të jap disa sqarime të fundit për çdo qytetar shqiptar dhe të adresoj thirrjen time për mbarë shqiptarët. Kjo mosbindje civile, nuk vjen si një rrufe në qiell të hapur. Kjo mosbindje civile, minimalisht ka 3 vite që kërkohet dhe është paralajmëruar. Prandaj miq, shqiptarët duhet të dinë se nesër nis mosbindja civile kundër narkoshtetit. Kundër mafies, dhe kundër kreut të krimit të organizuar, Edi Ramës. Është radha jone Kjo mosbindje civile, data 7 tetor, është nisja e kapitullit të fundit, e kësaj historie të zezë 11-vjeçare, të historisë së Shqipërisë. Një historie që do të lej mbrapa shkatërrimet më destruktive, të themeleve ku mbahet. Shqipëria dhe shqiptaria. Kjo mosbindje civile, nesër, vjen si përgjigja e vetme, që opozitës së shqiptarëve, shpresës së fundit të Shqipërisë, i ka mbetur ndaj narkoshtetit të Edi Ramës, bazuar në krimin, drogën, vjedhjen dhe dëbimin e shqiptarëve. Është radha jone! Në këtë kontekst, dua të rikujtoj, se opozita shqiptare në 3 vite ka zhvilluar jo një, as dy, as tre, por plot 7 protesta kombëtare. Protesta masive, ndër më të mëdhatë që Shqipëria ka parë në historinë e saj. Këtë mosbindje, ne kemi patur të gjitha mundësitë ta nisnim që 3 vite përpara, në protestën e 7 korrikut 2022. Madje ishte kërkesa kryesore e popullit opozitar për ta bërë këtë. Por në këto 3 vite, ne ndoqëm një qasje tjetër. Kemi mbajtur fjalime. Kemi denoncuar me fjalë. Kemi ngritur zërin. Kemi bërtitur. Por a u dëgjuam ne? Cila është përgjigja që kemi marrë? Në 2022, na vodhën flamurin e partisë. Na detyruan të shkojmë në zgjedhje, pa vulë, pa simbole pa financa, pa komisionerë, pa emrin e liderit në fletën e votimit. Një vendim kriminal që sot historia, e fakton se ishte plumb i qëllimshëm ndaj opozitës për ta asgjësuar atë!
Nga ana tjetër, policia garanton qytetarët se ka marrë të gjitha masat në përmbushje të përgjegjësive institucionale, për garantimin e rendit dhe të sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit, si dhe për garantimin e sigurisë publike e rrugore, në të gjithë territorin e vendit.