
VLORË- Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu pas mbledhjes me Emergjencat Civile, foli për situatën e krijuar nga stuhia në Vlorë. Në një prononcim për mediat, Pirro Vëngu u shpreh se shkak për përmbyetjen ka qenë intensiteti i reshjeve ka qenë i lartë, por theksoi edhe shkaqe të tjera si fakti që sistemi i pompimit dhe hidrovori, të cilat sipas tij nuk kanë qenë në kushtet optimale. Për të, në mënyrë që të shmangen situata të ngjashme, duke qenë se stina e shirave është para, kërkohet një shtim i investimeve në qytet për kanalet, por edhe hidrovorin.
"Sapo kemi realizuar një mbledhje të dytë të Emergjencave Civile Vlorë, me prefektin dhe kryetarin e Bashkisë dhe gjithë strukturat, qoftë ushtarake apo të emergjencave civile që janë angazhuar në terren që prej pasdites së djeshme. Kemi aktualisht ende 250 forca civile dhe ushtarake në terren, në gjitha zonat e prekura, sigurisht është ai trekëndëshi midis rrugës Romina Arbana, Kishës Ortodokse dhe lagjes historike, që mbeten ende një pjesë të pallateve dhe garazheve të prekura dhe nën ujë. 62 janë të evidentuara si të tilla, ndaj forcat janë angazhuar që të çlirohen ujërat që të vihen në funksionalitet të plotë qoftë stacionet e pompimit, që kanë pasur vështirësi mbrëmjen kaluar nga ai vërshim, sikundër hidrovori të vijojë punën në kushte optimale.
Në shumë pak orë kanë vërshuar 20 cm ujë, në një zonë gjeografike të limituar. Ka dhe shkaqe teknike që lidhen me rrjetin infrastrukturor dhe të evakuimit të ujërave të zeza dhe bardha në nivel bashkie dhe qarku. Janë evidente nga ekipet në terren që po shohin, që nga kolektorët deri te hidrovorët e stacionet e pompimit, situata nuk ka qenë detyrimisht në kushtet optimale. Na duhet patjetër të reagojmë dhe përmirësojmë përmes investimeve në javët dhe muajt në vijim,”-tha në fjalën e tij ministri.
Një ditë më parë, situata në këtë qytet ishte alarmante për shkak të reshjeve të dendura të shiut, daljes jashtë kontrollit të kanalit të ujërave të larta dhe përmbytjeve në shumë lagje. Për shkak të prurjeve, 33 familje me 55 anëtarë u evakuuan nga shtëpitë e tyre dhe u strehuan në konfikt. Të tjerët kanë mbetur pa energji elektrike deri në largimin e ujit nga kabinat elektrike. Në Vlorë ka shkuar edhe Ushtria, e cila po punon puna në terren për pastrimin e kanaleve, të cilat janë mbushur për shkak të prurjeve të përrenjve. Por edhe Ministria e Mbrojtjes, njëjtë si Bashkia, njofton se situata po shkon drejt përmirësimit./ZËRI