Politikë

'Ministria për Shkencën', Ina Zhupa: Po zhdukin çdo autonomië universitare!

Ajo gjithashtu shprehu shqetësimin se tashmë është përjashtuar nga procesi dhe se mazhoranca synon të kalojë ligjin me shpejtësi, pa praninë e opozitës.

M.M
'Ministria për Shkencën', Ina Zhupa: Po zhdukin çdo
Ina Zhupa

TIRANË- Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Ina Zhupa, ka komentuar në rrjetet e saj sociale mbi projektligjin e ri të shkencës të propozuar nga mazhoranca socialiste. Sipas Zhupës, ky ligj parashikon krijimin e një ministrie të re, e cila do të ketë autoritetin për të kontrolluar punën kërkimore të pedagogëve dhe akademikëve të pavarur.

Zhupa deklaroi se një këshill i përbërë nga ministra dhe institucione shtetërore do të mbikëqyrë çdo profesor dhe çdo punim shkencor në vend. Ajo theksoi se kjo nismë përbën një kërcënim për lirinë shkencore dhe akademike. Sipas deputetes demokrate, ky projektligj pritet të diskutohet në komision më 14 tetor. Ajo gjithashtu shprehu shqetësimin se tashmë është përjashtuar nga procesi dhe se mazhoranca synon të kalojë ligjin me shpejtësi, pa praninë e opozitës.

'Ministria për Shkencën', Ina Zhupa: Po zhdukin çdo
Reagimi i deputetes

Postimi i plotë:

Projektligji i ri i shkencës garanton shkatërrimin e kërkimit shkencor duke e centralizuar dhe kontrolluar nga politika dhe duke e vënë në shërbim të pushtetit. Një ministri e re për shkencën, një këshill me 7 ministra, Gjinushin dhe të tijët dhe me agjenci shtetërore do kontrollojnë çdo profesor, cdo kërkues shkencor dhe çdo punim shkencor në vend.

Po zhdukin cdo autonomi universitare, po zhveshin nga kompetencat profesorët, departamentet, shkollat doktorale dhe po e monopolizojnë te qeveria. Vetëm në sistemet parti-shtet, ndodh sic e ka parashikuar ky ligj që vlerësimin e punës shkencore e bën ministria, dmth e bën partia shtet. Nuk ka financim po nuk i pëlqeu qeverisë, nuk ka kërkim shkencor që kundërshton politika të caktuara ekonomike, sociale, bujqësore, teknologjike etj.

Ky ligj parashikohet që të futet në diskutim në 14 Tetor në komisionin që une drejtoj, të Edukimit, por tashmë që na kanë përjashtuar pa rregullore, duket se do e kalojnë me shpejtësi pa opozitën, për të shkatërruar edhe lirinë shkencore dhe akademike. Ju bëj thirrje pedagogëve, akademikëve të lirë, kërkuesve shkencor, drejtuesve të universiteteve publike dhe private të bashkohemi kundër këtij projektligji masakrues për lirinë akademike dhe përcundues të kërkimit shkencor cilësor dhe të pavarur./ZËRI

Poll

MOS HUMB