Politikë

Ndërron jetë babai i ish-Presidentit Ilir Meta, kreu i PL-së do të marrë pjesë në varrim

Ish-presidenti pritet të shoqërohet nesër drejt fshatit Çepan në Skrapar.

F.I
Ndërron jetë babai i ish-Presidentit Ilir Meta, kreu i PL-së do
Rexhep dhe Ilir Meta

TIRANË-Rexhep Meta, babai i ish-presidentit të Shqipërisë Ilir Meta, ka ndërruar jetë në moshën 83-vjeçare. Rexhep Meta do të përcillet për në banesën e fundit në Skrapar. Vetë Meta do të marrë pjesë në varrimin e të atit. 

Ish-presidenti pritet të shoqërohet nesër drejt fshatit Çepan në Skrapar. Mësohet se leja për Ilir Metën është miratuar nga Prokuroria e Posaçme, ndërkohë autoritetet kanë marrë masat për realizimin e shoqërimit në përputhje me procedurat përkatëse.

Vetë Ilir Meta ka reaguar pas ndarjes nga jeta të babait të tij edhe me një postim në rrjetet sociale, ku njofton edhe detajet mbi ceremoninë dhe pritjet.

"Të dashur të afërm, miq dhe dashamirës, Me dhimbje të thellë po ndaj me ju lajmin e trishtë, për mua dhe gjithë familjen tonë, të ndarjes nga jeta të babait tonë të mrekullueshëm, Rexhep Meta. Në respekt edhe të amanetit të tij, ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit do të zhvillohet, nesër, më 2 qershor, në ora 12:00, në vendlindjen e tij në Çepan të Skraparit. Ndërkohë për të gjithë miqtë dhe dashamirësit, familja do të bëjë pritjet e ngushëllimeve në datën 3 qershor në Tiranë, vendin dhe orën e saktë, do t'ju a komunikojmë në vijim,"-shkruan Meta.

Ilir Meta ndodhet në burg prej 21 tetorit 2024. Ai akuzohet për tre vepra penale, për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion./ZËRI

Poll

MOS HUMB