LIVE UPDATES

"Miqësia jonë, më e thellë se diplomacia"-Ministri i Jashtëm izraelit në Tiranë, takime me Ramën, Hoxhën dhe Peleshin

♦Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, ndodhet në Tiranë, në kuadër të një vizite zyrtare në Shqipëri. ♦Sa'ar zhvilloi një takim me kreun e Kuvendit, Niko Peleshi. ♦Ai u prit edhe nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, me të cilin firmosi Marrëveshjen për Bashkëpunimin e Përgjithshëm. ♦Më vonë, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministrin Hoxha, Sa'ar vlerësoi marrëdhëniet me Shqipërinë. ♦Ministri izraelit falënderoi Shqipërinë për mbështetjen ndaj Izraelit dhe qëndrimin e saj kundër terrorizmit, antisemitizmit dhe Iranit. ♦Gideon Sa’ar është takuar edhe me kryeministrin Edi Rama, duke e cilësuar si një nga liderët më të shquar dhe më etikë në botë. ♦Ministri izraelit ndau pamjet nga takimi, duke vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe qëndrimin e Shqipërisë ndaj Izraelit.

3 artikuj për këtë temë.
3 ORE ME PARE

"Mik i shquar i Izraelit"/ Ministri izraelit takon Ramën në Tiranë: Na ka qëndruar pranë në kohë sfiduese

"Miqësia jonë, më e thellë se diplomacia"-Ministri
edi rama-Gideon Sa’ar

TIRANË- Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, është takuar në Tiranë me kryeministrin Edi Rama, në kuadër të vizitës që po zhvillon në Tiranë. Përmes një postimi në "X", Sa'ar ka ndarë pamje nga takimi, teksa e cilëson Ramën si një nga liderët më të shquar dhe më etikë në botë. 

Ministri izraelit vlerësoi angazhimin e Shqipërisë dhe të kryeministrit Rama për sigurinë e Izraelit dhe qëndrimin kundër antisemitizmit dhe terrorizmit. Sa i përket bisedës gjatë takimit, Sa'ar shprehet ishte e fokusuar rreth marrëdhënieve të dy vendeve si dhe situatës në Lindjen e Mesme dhe Ballkanin Perëndimor.

“Pata kënaqësinë të takohem sot në Tiranë me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama @ediramaal. Rama e ka udhëhequr Shqipërinë për 13 vjet rresht dhe, sipas mendimit tim, është një nga udhëheqësit më të shquar dhe më etikë në botë sot. Rama është një zë i qartë dhe i guximshëm në skenën ndërkombëtare. Ai është gjithashtu një mik i shquar i Izraelit, i cili na ka qëndruar pranë edhe në kohë sfiduese.

Ne e vlerësojmë shumë angazhimin e tij për sigurinë e Izraelit dhe qëndrimin e tij të vendosur kundër antisemitizmit dhe terrorizmit. Ishte një bisedë e thellë rreth avancimit të marrëdhënieve midis vendeve, si dhe situatës në Lindjen e Mesme dhe Ballkanin Perëndimor. Faleminderit, Edi, për miqësinë tuaj të guximshme dhe miqësinë e thellë të Shqipërisë me Izraelin”, shkruan ai.

7 ORE ME PARE

"Synojmë marrëveshje të reja"/ Ministri izraelit në Tiranë: Miqësia jonë është farkëtuar në histori

"Miqësia jonë, më e thellë se diplomacia"-Ministri
Gideon Sa’ar-ferit hoxha

TIRANË- Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha dhe ai i Izraelit Gideon Sa’ar, mbajtën një deklaratë të përbashkët për mediat. Gjatë fjalës së tij, ministri izraelit ka vlerësuar marrëdhënien me Shqipërinë, duke theksuar se miqësia mes dy vendeve shkon përtej diplomacisë.

Më tej, Sa'ar foli për zgjerimin e bashkëpunimit, ndërsa theksoi rritjen e numrit të turistëve izraelitë në Shqipëri, duke vlerësuar mikëpritjen e Shqipërisë. 

“Është kënaqësi që gjendem në Shqipëri, mike e Izraelit. Është vizita e vetme ndërkombëtare këtë muaj. Miqësia jonë është më e thellë se diplomacia. Ju i hapët derën hebrenjve dhe kjo ka qenë “Besa” juja...Po e kthejmë miqësinë në vepra. Numri i vizitorëve në Shqipëri është rritur nga 7000 mijë në mbi 100 mijë turistë. Ka një një arsye për këtë, izraelitët ndihen të mikëpritur këtu në Shqipëri. Kërkojmë të ndërtojmë bashkëpunime në energji, infrastrukturë, uji dhe bujqësia. Falenderojmë Shqipërinë, që qëndron kundër terrorizmit dhe antisemitizmit, për zërin e saj të qartë në organizatat ndërkombëtare dhe për qëndrimin e palëkundur kundër Iranit.Ne ndajmë një vizion stabiliteti dhe sigurie në rajon. Ne ndajmë një vizion për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin. Miqësia jonë është farkëtuar në histori, sot po ndërtojmë të ardhmen e saj”, u shpreh ministri izraelit./ZËRI

13 ORE ME PARE

Ministri i Jashtëm i Izraelit mbërrin te Kryesia e Kuvendit, takim me Hoxhën e Peleshin, do të pritet edhe nga Rama

"Miqësia jonë, më e thellë se diplomacia"-Ministri
Gideon Sa’ar dhe Ferit Hoxha

TIRANË-Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, ndodhet në Tiranë, në kuadër të një vizite zyrtare në Shqipëri. Sa’ar ka zhvilluar takimet e para sipas axhendës, me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, si dhe ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ndërsa më vonë do të takohet me kryeministrin Edi Rama.

Gjatë vizitës, ministrat Sa’ar dhe Hoxha nënshkruan Marrëveshjen për Bashkëpunimin e Përgjithshëm, e cila shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve. Marrëveshja krijon një kuadër të gjerë bashkëpunimi ndërqeveritar dhe vendos një mekanizëm të strukturuar për zhvillimin e partneriteteve konkrete në fusha me interes të ndërsjellë, si ekonomia dhe tregtia, inovacioni dhe teknologjia, bujqësia, menaxhimi i ujërave, energjia, shëndetësia, arsimi, siguria, turizmi dhe kultura.

Në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme izraelite, theksohet gjithashtu edhe marrëdhënia e mirë mes dy vendeve, duke cituar edhe mbështetjen e Tiranës zyrtare ndaj Izraelit kundër Iranit dhe Hamasit./ZËRI

Poll

MOS HUMB