
TIRANË- Vota e diasporës, e cila do të implementohet për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të vitit që vjen është kthyer në një "problem" për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Sot, Komisioni Rregullator në KQZ dështoi për herë të dytë të miratojë rregullat se si duhet të regjistrohen emigrantët për të votuar me postë. Mbledhja u shoqërua me debate të ashpra pasi anëtarët e Komisionit Rregullator nuk e gjetën dot zgjidhjen se çfarë dokumentesh mund të përdorin emigrantët për t'u regjistruar gjatë muajve janar-mars, kohë kur edhe do të hapen regjistrimet online.
Problem ishin edhe pasaportat e skaduara, të cilat opozita kërkon që të pranohen për regjistrimin, ndërsa KQZ kërkon që të jenë të rinovuara deri në momentin e votimit. Franc Nuri, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, propozoi që të hiqet togfjalëshi “dokument identifikimi i vlefshëm” për zgjedhësit në diasporë.
“Kërkojmë që në dokumentet e identifikimit të mos përcaktohet nëse janë të vlefshëm apo jo”.
Në mbështetje të tij, Dritan Çaka, anëtar i Komisionit Rregullator, u shpreh gjithashtu se qytetarët duhet të lejoheshin që të aplikonin për të votuar me çfarëdolloj dokumenti identifikimi.
“Jemi pesë anëtarë dhe ajo që Nuri e tha, Caka e tha mund të kemi akt normative të qeverisë, por ende nuk kemi një datë zgjedhjesh. A mund të thotë dikush sot. Unë them duhet të jetë me dokument të vlefshëm. Pra, do të votojnë me dokument të vlefshëm ose jo shtetasi shqiptar?,”-tha kryetarja e Komisionit Rregullator, Ilirjana Nano.
Në ndërhyrjen e tij, Muharrem Çakaj, anëtar i Komisionit, tha se këtë të drejtë e ka qeveria.
“Këtë që ju shtruat për diskutim referuar kuadrit ligjor shqiptar e ka në dorë qeveria e Shqipërisë. Në zgjedhjet pararendëse, është me vendim qeverie është shtyrë vlefshmëria, nuk e kemi ne në dorë e ka qeveria. Të themi voton shtetasi shqiptar me banim brenda apo jashtë vendit s’e kemi ne në dorë. Qeveria shtyn vlefshmërinë”.
Në këto kushte, asgjë nuk u vendos dhe mbledhja u shty për ditën e hënë. Paralelisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka drejtuar një shkresë zyrtare ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha. Teksa bën me dije se ka nisur puna përgatitore për mundësimin e votës së diasporës, kërkon mendim për një draft-udhëzim të administratës lidhur me këtë proces.
“Do duhet të përcaktojmë me akt të përbashkët mënyrën e bashkëpunimit mes KQZ dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile për ç’regjistrimin e shtetasve shqiptarë që votojnë jashtë vendit, nga lista e zgjedhësve brenda vendit,”- thuhet në shkresë. Për kërkesën e kryekomisionerit, ende nuk ka asnjë përgjigje. Ndërkohë që Celibashi i ka dërguar një shkresë edhe partive politike gjatë ditës së djeshme ku i informonte lidhur me një problem që kishte dalë me postën. Nëpërmjet një letre dërguar 7 partive që kanë përfaqësues në Kuvend, KQZ informon se ka zhvilluar një takim me të gjithë operatorët e shërbimit postar ndërkufitar, ku është konkluduar se afatet zgjedhore të tanishme mund të pamundësojnë votimin e diasporës. E vetmja zgjidhje është përdorimi i postës "express".
Pas informimit nga KQZ, partitë politike duhet të mendojnë për zgjidhjen e këtij ngërçi. Një zgjidhje mund të jetë ndryshimi i Kodit Zgjedhor, duke lejuar që emigrantët të votojnë më herët, ose t’u jepet mundësia që votat e tyre të mbërrijnë dhe të numërohen pas zgjedhjeve dhe më pas të reflektohen në rezultatin final.
Deri më tani, referuar rregullores, çdo qytetar shqiptar, i cili jeton jashtë dhe që kërkon të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare duhet të regjistrohet në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER) të paktën 68 ditë përpara datës së votimeve. Referuar Kodit të ri Zgjedhor, vota e personave që jetojnë jashtë, llogaritet në qarkun ku ai/ajo ka jetuar përpara se të largohej nga Shqipëria. Por, mesa duket gjatë rrugës kanë dalë disa probleme, të cilat do të duhet që të rregullohen sa më shpejt, tani që na ndajnë thuajse 8 muaj nga disa e zgjedhjeve./ZËRI