Politikë

Përplasje për lobimet e LSI / Meta- Braimllari 'ping-pong', ia “faturojnë” njëri-tjetrit

Kreu i PL sqaron edhe një herë se në periudhën 2018-2019 ka qenë president dhe jo kryetar i LSI, ndërsa shton se po mbahet në qeli për firmat e Endritit, ndërkohë që ky i fundit u zgjodh nënkryetar i Këshillit Bashkiak.

F.I
Përplasje për lobimet e LSI / Meta- Braimllari 'ping-pong',
Endrit Brahimllari dhe Ilir Meta

TIRANË-Një përplasje në distancë ka ndodhur mes kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-bashkëpunëtorit të tij të ngushtë i cili kaloi me Partinë Socialiste, Endrit Brahimllari. Shkak është bërë firma për lobimet e LSI. 

Meta në një reagim nga burgu mohoh akuzat e ngritura kundër tij, duke deklaruar se firma për lobimet e LSI-së në periudhën 2018–2019 është e Endrit Braimllarit. Kreu i PL sqaron edhe një herë se në periudhën 2018-2019 ka qenë president dhe jo kryetar i LSI, ndërsa shton se po mbahet në qeli për firmat e Endritit, ndërkohë që ky i fundit u zgjodh nënkryetar i Këshillit Bashkiak. Meta e shoqëron postimin e tij në rrjetin social Facebook edhe me një video, ku Braimllarri mohon të ketë lidhje me çështjen e lobomit dhe njëherësht paraqet dokumetet e SPAK, ku ish-nënkryetari i Partisë së Lirisë, pretendohet se ka deklaruar se nuk mban mend.

Përplasje për lobimet e LSI / Meta- Braimllari 'ping-pong',
DOKUMENTI

Ilir Meta: Endrit Braimllari është shembulli më i gjallë i mënyrës se si SPAK-u arrin t’i konvertojë njerëzit pa karakter në “rilindas” të denjë – gënjeshtarë. Vetëm një “rilindas” mund të harrojë firmat që ka hedhur vetë dhe arsyet për të cilat i ka hedhur. Një gënjeshtar ordiner, që përpiqet të fshihet pas harresës, por e vërteta nuk fshihet as me lojëra fjalësh, as me konvertim teserash partie. Firma për lobimet e LSI-së në periudhën 2018–2019 është e Endrit Braimllarit. Në atë kohë, unë nuk isha kryetar i LSI-së, por President i Republikës. Për firmat e tij unë qëndroj në izolim ekstrem, ndërsa Endriti “gradohet” nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës. Apo mos ndoshta është Altin Dumani që gënjen në shkresën zyrtare të firmosur prej tij?

Pas deklaratës së Presidentit të PL-së Ilir Meta, i cili tha se mbahet në izolim për shkak të firmave të Endrit Braimllarit për çështjen e lobimit, ka reaguar ish-nënkryetari i Partisë së Lirisë, duke e konsideruar këtë deklaratë si një përpjekje për të intimiduar dhe goditur imazhin e tij. Braimllari sqaron se nuk ka firmosur asnjë kontratë lobimi gjatë kohës kur ka qenë në këtë detyrë dhe e kalon përsëri tek Meta, duke u shprehur se Partia ka pasur lobime vetëm në kohën kur Meta ka qenë kryetar partie.

Endrit Braimllari: Përpjekje e qartë për të më intimiduar dhe për të goditur imazhin tim publik. Nxjerrja e materialeve hetimore nga dosja i shërben tërheqjes së vëmendjes nga problemi i tij i vërtetë me drejtësinë. Endrit Braimllari nuk ka firmosur asnjë kontratë lobimi. Fatura që i referohet është një procedurë e ligjshme, e paguar me bankë, e deklaruar në KQZ dhe e audituar nga KQZ. Ai e di shumë mirë që po hetohet për mosdeklarim. Duhet ta dijë qartë që nuk përbën shkelje të ligjit kur deklaron shpenzimet dhe burimet e tyre të ligjshme. Në dijeninë time partia ku unë aderoja më parë ka pasur lobime vetëm në kohën kur Z.Meta ka qenë kryetar partie.

Kreu i PL, Ilir Meta ka deklaruar se sa i përket 369 mijë dollarëve të paguara nga një entitet i panjohur, gjë që del dhe në dosje, Prokuroria e Posaçme duhet të pyesë ish-bashkëpunëtorët e tij, më konkretisht, Endrit Brahimllarin që ka firmosur kontratën e lobingut dhe që ishte personi përgjegjës për ta ndjekur atë, si dhe kushëriri i tij i parë, Eriol Brahillari, i cili sipas tij, ka mbajtur për 10 vitë gjithë korrespodencën me kompanitë e lobimeve edhe me e-mail, por që pas largimit nga detyra si drejtor kabineti, nuk ka lënë asnjë arkiv apo gjurmë./ZËRI

Poll

MOS HUMB