
TIRANË- Ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, i arrestuar nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në 21 Tetor nuk do të qëndrojë për shumë gjatë tek "313" në Tiranë. Siç e parashikon ligji, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta do qëndrojë 10 ditë në ambientet e paraburgimit Nr.313 në Tiranë, e më pas do të dërgohet në burgun e Fierit. Atje e pret ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji.
Një burim pranë burgut "313" tha për gazetarin e “Ora News”, Elton Qyno, se ish-funksionari i lartë i Shtetit Shqiptar, po qëndron i vetëm në një nga dhomat e sektorit "VIP". Po ashtu, Meta gjatë komunikimit me administratën e burgut ka shfaqur pëlqimin që pas përfundimit të periudhës së “Observimit” tek "313", të transferohet në drejtim të burgut të Fierit.
Këtë kërkesë Meta, e ka argumentuar se burgun e Fierit, ndihet më i sigurtë dhe sipas tij, në këtë burg është opozita e vërtetë. Por ka një "problem"! Në këtë burg po vuan dënimin edhe ish-bashkëpuntori më i ngushtë i Ilir Metës, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka. Ky i fundit sot foli për të dhe ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhin.
Megjithatë, Koka nuk është i vetmi "VIP". Në burgun e Fierit janë gjithashtu: Alqi Bllako; Oltion Bistri; Safet Gjici; Lefter Alla; Dedan Gjoni; Xhevahir Lita, etj. Atje ishte Fran Tuçi dhe Fredi Beleri, por të dy janë liruar pasi e kanë përfunduar dënimin.
Nga eksperienca e Belerit, i cili pas lirimit rrëfeu për mediat, se edhe pse në burg kishte shumë socialistë, ia kishte kaluar mirë dhe nuk kishte pasur përplasje me ta, por vetëm debate për politikë./ZËRI