
TIRANË- Deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi gjatë deklaratës së saj për mediat pranoi se nëna e saj ka një shtëpi me vlerën e 300 mijë eurosh, sepse është e përfshirë në botën e biznesit. Por dënoi ato që sipas saj janë sulme në familje dhe tek fëmijët e saj dhe të presidentit Ilir Meta. Deklaratën e saj e përmbylli me një mesazh: Karma është një k***ë!
“Mamaja ime e ka blerë një shtëpi 300 mijë euro. Nga 90' e tutje është marrë me biznes. Nuk po merrem me gjërat e tjera politike se ekipi i avokatëve do merret seriozisht me këtë, edhe unë do merrem politikisht më këtë gjë. Por duhet të kenë një gjë parasysh por "karma is a bitch". Sot i kanë fëmijët e vegjël, por kur ti rriten do të jenë edhe ata në këtë pozicion. Por ka një ndryshim, Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta i kanë bërë të gjitha vetë, nuk kanë shitur as trupin dhe as shpirtin”, tha ajo.
Ditën e djeshme Policia e Shtetit arrestoi ish-presidentin e vendit Ilir Metën, pasi ai akuzohet nga SPAK për veprat penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish. Por Meta nuk është i vetmi që ka rënë në rrjetën e SPAK, pasi kontrolle janë ushtruar edhe në banesën e Endrit Brahimllarit, në “arrest shtëpie” është caktuar Pirro Xhixho (babai i Erisa Xhixhos), ndërsa Monika Kryemadhi dhe Ema Çoku janë lënë në “detyrim paraqitje”. /ZËRI