
TIRANË-Në pamjet e siguara nga ZËRI shihet momenti kur kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj lë ambjentet e Bashkisë pasi i është komunikuar masa e arrestit. Veliaj shihet me dosje në duar, teksa shoqërohet nga oficerët e BKH-së. Kryebashkiaku është vendosur në pranga me urdhër të Strkturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
GJKKO ka vendosur masë sigurie arrest me burg për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Ai është dërguar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Hetimi
Ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, ka nisur hetimi i pasurisë, dhe SPAK ka kërkuar t’i vendoset në dispozicion çdo veprim bankar dhe çdo transaksion financiar të kryer nga kryebashkiaku, bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, i vëllai Arbër Veliaj dhe nëna, Shqiponja Veliaj. Kjo është hera e dytë që Veliaj paraqitet në SPAK, pasi herën e parë u paraqit më 30 prill të këtij viti. Në atë kohë kryebashkiaku qëndroi për 8 orë në SPAK lidhur me hetimet e Prokurorisë së Posaçme për inceneratorin e Tiranës.
Po ashtu, bashkëshorja e Veliajt, Ajola Xoxa, mbrëmjen e së hënës (23 dhjetor 2024) u mor në pyetje nga SPAK për rreth 3 orë në kuadër të një hetimi për pasurinë të nisur ndaj kryebashkiakut. Një ditë më pas Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar kërkesën e avokatëve të Xoxës dhe kunatit të saj Arbër Veliaj mbi ankimin ndaj vendimit të GJKKO që lejoi kontrollin e BKH ndaj tyre.
Më 6 dhjetor, teksa kryebashkiaku ndodhej për një vizitë zyrtare 2 ditore në Hamburg, Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit u paraqitën në banesën e Veliajt për të sekuestruar celularin e bashkëshortes së tij Ajola Xoxa. Urdhëri u dha nga hetuesi i SPAK, Olsi Dado. Më pas, së bashku me vetë Xoxën janë paraqitur edhe në galerinë e saj, “Harabel”, për të ushtruar kontroll. Pas interesit të mediave, ka pasur një sqarim nga SPAK lidhur me atë që po ndodh. Sipas Prokurorisë së Posaçme, po kryen hetime për një çështje, por nuk japin detaje të tjera. Vetë Veliaj u shpreh i hapur për hetimet që po kryheshin nga SPAK.Pas kontrollit, reagoi kryedemokrati Sali Berisha. Ky i fundit deklaroi se gjatë kontrollit që BKH ka ushtruar në zyrat e fondacionit “Harabel” të Ajola Xoxës, bashkëshortes së Veliajt, janë gjetur të fshehura 230 mijë euro. Në përgjigjen Veliaj iu drejtua Berishës, duke e quajtur atë “një hienë të xhindosur", por po ashtu paralajëmroi ankimimin që u bë në Gjykatë nga familjarët e tij. Por si në shkallën e Parë, edhe në Apelin e GJKKO-së, ankimimi për kontrollet është rrëzuar nga trupa gjykuese./ZËRI