
TIRANË-GJKKO ka shpallur të pafajshëm për akuzën e shpërdorimit të detyrës, kryetarin e bashkisë së Devollit Eduard Duro. Duro u mor i pandehur nën akuzën “shpërdorim detyre” pasi licensoi një biznes karburanti që ishte ndërtim pa leje. SPAK kishte kërkuar dënimin e kryebashkiakut me 1 vit burg për shpërdorim detyre, që të konvertohej në 3 vite shërbim prove, si dhe me dënimin plotësues që për 5 vite të mos ushtrojë funksione publike.
Prokurori Dritan Prençi kërkoi edhe për 4 zyrtarët e tjerë, përkatësisht Astrit Seferkolli, Gazment Haxhia, Gazment Mali dhe Vosjava Bregu.
Nga hetimet e SPAK, rezultoi se kryebashkiaku socialist Eduard Duro, në bashkëpunim me zyrtarët e Sektorit të të Ardhurave dhe Liçencimit në Bashkinë Devoll, Gazmend Haxhija dhe Gazmend Malo dhe sekretarin e Përgjithshëm të Bashkisë Devoll, Astrit Seferkolli, si dhe të pandehurën tjetër, Vojsava Bregu, pajisën shoqërinë tregtare “Genci Petrol” sh.p.k me autorizim për tregtimin me pakicë të karburantit. Sipas prokurorisë, ky autorizim është dhënë në kundërshtim me ligjin, pasi në vitin 2019 Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit kishte vendosur prishjen e pikës së karburantit.