TIRANË- Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e sotme një sërë vendimesh dhe projektligjesh që prekin disa fusha, mes tyre mbrojtjen e mjedisit, rindërtimin, sigurinë publike dhe administrimin fiskal.
Në fokus të vendimeve janë aktivitetet që klasifikohen si të rrezikshme për mjedisin, ndersa janë përcaktuar edhe kriteret për vlerësimin e kërcënimeve dhe dëmeve të mundshme mjedisore.
Ndërkohë, qeveria ka bërë ndryshime edhe në aktet që lidhen me zhvillimin e ekonomisë malore në Bashkinë Shijak, si dhe me përdorimin e fondit të rindërtimit për ndërhyrjet në banesa në Tiranë, Durrës, Shijak, Lezhë dhe Krujë.
Në fushn e sigurisë publike, është miratuar vendimi që përcakton kriteret për dhënien e medaljes së Shërbimit të Rendit Publik.
Pjesë e mbledhjes kanë qenë edhe marrëveshjet ndërkombëtare në fushën fiskale. Qeveria ka miratuar projektligje që lidhen me marrëveshjet e Shqipërisë me Lituaninë dhe Gjermaninë për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe luftën kundër evazionit fiskal.
Një tjetër ndryshim i miratuar lidhet me administrimin e objekteve të konfiskuara për shkak të ndërtimit pa leje, duke ndërhyrë në kuadrin ligjor që rregullon mënyrën e administrimit të tyre./ZËRI