Politikë

Mbaroi mosbindja civile? PD rikthehet në Kuvend, Bardhi komenton ambasadorin e BE: Bëri deklarata qesharake

Për buxhetin e vitit që vjen kanë nisur që dje diskutimet në Komisionin e Ekonomisë në Kuvend.

k.m.
Mbaroi mosbindja civile? PD rikthehet në Kuvend, Bardhi komenton
Gazment Bardhi

TIRANË- Partia Demokratike do të rikthehet në Kuvend, edhe pse pretendojnë se nuk janë larguar kurrë! Pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka zbuluar vendimin e  marrë për mediat. Në fjalën e tij, Bardhi tha se demokratët do t’i rikthehen punimeve në parlament, pasi kërkojnë që të përballen dhe të diskutojnë për buxhetin e vitit të ardhshëm. Por për kreun e grupit, ky nuk është një rikthim pasi nuk ishin larguar kurrë, por thjesht nuk ishin lejuar që të futeshin në sallë nga maxhoranca dhe Garda e Republikës.

Po ashtu, komentoi edhe deklaratat e bëra nga ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, duke i cilësuar si qesharake. 

"Në rastin konkret grupi i PD ka reaguar ndaj një padrejtësie. Gjej rastin për ta bërë publike meqë keni dëgjuar deklarata qesharake deri diku se deputetët e opozitës duhet ta bëjnë detyrën e tyre brenda parlamentit. Ne duke nisur nga sot do të jemi brenda parlamentit. Do jenë në sallë edhe ata që janë të përjashtuar. Sepse është vendimmarrje e Edi Ramës për të nxjerrë jashtë Kuvendit opozitën e vendit,"-tha Bardhi para mediave. 

PJESË NGA FJALA E PLOTË:

“Do kemi vendimmarrje të grupit rast pas rasti që t'i shërbejmë interesit publik. Buxheti i sjellë si buxheti i fundit kërkon angazhimin e deputetëve të opozitës për ta kthyer nga buxheti i oligarkëve në atë të qytetarëve. Këtë rol e luajnë vetëm deputetët e opozitës. Sepse deputetët e mazhorancës siç e kanë shfaqur në 12 vite të miratimit të buxhetit janë si kartona që i shërbejnë interesave të Ramës dhe të një grushti njerëzish me investime ku më shumë vidhen, pa patur në vëmendje shtresat në nevojë, pensionistët, fermerët, shtresat në nevojë. Për këtë arsye, grupi i PD do të ketë përballje intensive mazhorancës në diskutimin për Buxhetin.

Kishim shpallur se nuk do të kishte normalitet në Kuvend. Në rastin konkret, aksioni politik i PD-së për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Deputetët do të përmbushin detyrën si përfaqësues të qytetarëve, ndaj ne në raport me Kuvendin do të vendosim rast pas rasti. Kushdo që ka shpresuar që opozita do i lërë hapësirë që të bëjnë si të duan. Në rastin konkret grupi i PD ka reaguar ndaj një padrejtësie. Gjej rastin për ta bërë publike meqë keni dëgjuar deklarata qesharake deri diku se deputetët e opozitës duhet ta bëjnë detyrën e tyre brenda parlamentit. Ne duke nisur nga sot do të jemi brenda parlamentit. Do jenë në sallë edhe ata që janë të përjashtuar. Sepse është vendimmarrje e Edi Ramës për të nxjerrë jashtë Kuvendit opozitën e vendit.

Edi Rama është një frikacak që nuk e do më opozitën në Kuvend, planet e tij kanë dështuar ndaj përdor një rregullore të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese për të nxjerrë deputetët nga Kuvendi. E vërteta është që deputetët e opozitës nuk lejohen që të bëjnë detyrën e tyre. Por ne do të jemi aty qoftë brenda Komisioneve, qoftë edhe jashtë.

Ne nuk kemi ikur ndonjëherë nga parlamenti! Deputetët e opozitës do të jenë në përballje me çdo front. Do të jemi në rrugë dhe në mosbindje civile por kjo nuk nënkupton se duhet të ikim nga përballja. Ne nuk bojkotojmë institucionet. Sa herë të cënohet Kushtetuta do të shihni grupin e PD që të reagojë. Sa herë të ketë shkelje të të drejtave të qytetarëve që të reagojë. Ndërthurur kjo edhe me aksionin politik që ka marrë partia. Ne jemi penguar të futemi në Kuvend, përballja me Gardën nuk ka qenë vendimmarrje e opozitës. Pra ka qenë reagim. Kemi shkuar çdo të enjte për të marrë pjesë në seanca. Nuk ikim nga Kuvendi. E kemi bërë atë gabim në 2019 dhe nuk ka shanse që ta bëjmë më atë gabim. Ne nuk fshihemi. Fshihet vetëm Edi Rama që nuk vjen fare në Kuvend sepse është një frikacak. Ne jemi për të diskutuar për buxhetin,"-tha Bardhi në prononcimin e tij për gazetarët. 

Ndaj edhe demokratët janë mbledhur për të marrë një vendim për vazhdimin ose jo të mosbindjes civile dhe aksionit opozitar në Kuvend dhe komisione parlamentare. Që nga shtatori, kur edhe u arrestua deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, opozita ka braktisur të gjitha punimet e Kuvendit. Sipas tyre, ata kanë nisur "mosbindjen civile" dhe kanë zhvilluar deri më tani 3 protesta duke kërkuar qeveri teknike dhe zgjedhje parlamentare pa Edi Ramën si kryeministër./ZËRI

Poll

MOS HUMB