KORÇË- Reforma e re territoriale ishte në fokus të takimit të zhvilluar në Korçë ku kryeministri Edi Rama diskutoi me banorët për ndryshimet e propozuara në organizimin e pushtetit vendor. Rama deklaroi se Maliqi do të ruajë statusin e qytetit, edhe nëse Bashkia e Maliqit nuk do të vijojë të ekzistojë si bashki më vete. Sipas tij riorganizimi i njësive vendore synon të krijojë struktura më të mëdha dhe të rrisë mundësitë për financime e investime.
View this post on Instagram
"Maliqi apo të tjerat që po bashkohen nuk do jenë njësi administrative si ato që ju shikoni sot. Dhe për këtë arsye, për këtë ligj ne krijojmë një nivel tjetër, duke u bërë një njësi më e madhe, futet në një kategori tjetër të fondeve të BE-së. Dhe do shikoni që do ju rriten investimet. Duke u rritur masa, do ketë më shumë para për të investuar. Nuk ka këtu asnjë rrezik, këtu ka vetëm gjëra pozitive. Më pak s’ka, më shumë ka”, u shpreh kryeministri.
Rama garantoi gjithashtu se ndryshimi i statusit administrativ nuk do të shoqërohet me largimin e shërbimeve nga qytetarët. Sipas tij, banorët do të vijojnë t’i marrin shërbimet në territor, ndërsa njësitë më të mëdha do të kenë mundësi të përfitojnë edhe nga kategori të tjera fondesh të Bashkimit Evropian.
I pranishëm në takim ishte edhe kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, i cila tha se reforma nuk përfundon vetëm me ndryshimin e hartës territoriale. Ai sqaroi se Maliqi do të mbetet qytet dhe do të vijojë t’u shërbejë fshatrave dhe njësive administrative që aktualisht janë pjesë e bashkisë.
Ndërkohë gjatë diskutimit pati edhe shqetësime nga banorë lidhur me propozimin për shkrirjen e Bashkisë Maliq. Procesi i reformës pritet të vijojë me dëgjesa me komunitetet ndërsa ndryshimet përfundimtare do të përcaktohen përmes kuadrit ligjor që do të miratohet nga Kuvendi./ZËRI