TIRANË-Projektligji i ri “Për Parandalimin e Pastrimit të Parave”, u miratua këtë të hënë në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme. Në mbledhje morën pjesë zëvendësministri i Financave, Andi Memeti, si dhe përfaqësues të Bankës së Shqipërisë. Sipas zëvendësministrit të Financave Andi Mehmeti projektligji i ri krijon hapësira për kontroll të posaçëm të tregut të kriptove, pasi persona të përfshirë në aktivitete kriminale vitet e fundit pagesat nuk i bëjnë më në para por përmes kriptovalutave për të shmangur në këtë mënyrë kontrollin nga autoritetet financiare.
"Tregu i kriptove ofron mundësi të reja për inovacion financiar, por mund të shërbejë edhe për lëvizjen e mundshme të fondeve që mund të paraqesin vështirësi për tu gjurmuar. Për arsye ligji vendos kërkesa të qarta për informacionin që shoqëron transferimin e fondeve dhe të kriptoaseteve, për verifikimin e palëve në transaksion”, u shpreh zëvendësministri i Financave Andi Mehmeti.
Nga ana tjetër opozita kërkoi më shumë filtra kontrolli për sektorin e ndërtimit, pasi sipas tyre përdoret për pastrimin e parave të pista, treg i cili ka zhvlerësuar edhe valutat.
"Sipas operatorëve të tregut kemi 80.000 apartamente bosh dhe çmimet vetëm ngrihen. Pra, ka një mbi investim të orientuar në këtë treg, dhe ka parë lehtësi aty dhe kjo është evidente, sepse kaq e madhe është futja e parasë së pistë së euros konkretisht sa ne e dimë që prej tre vitesh euro është ulur deri në 30% të vlerës”, deklaroi Erald Kapri deputeti i Partisë Mundësia.
"Agjencia e Inteligjencës Financiare kur bën kategorizimin në bazë të riskut, sektorin e ndërtimit e ka kategori me risk të lartë. Pra ka një mbikëqyrje të shtuar pasi është me risk të lartë. Zakonisht sektorët me zhvillim të madh në çdo shtet janë edhe më në rrezik për tu shfrytëzuar në mënyrë jo të duhur nga paratë e pista”, tha në përgjigje zëvendësministri i Financave Andi Mehmeti.
Më tej, Komisioni shqyrtoi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 53/2025 ‘Për patentat, modelet e përdorimit dhe certifikatat e mbrojtjes shtesë’”, me nismë të deputetes Bora Muzhaqi. Komisioni shqyrtoi edhe projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 52/2025 ‘Për markat tregtare’”.
Projektligji i ri kundër pastrimit të parave
Projektligji i ri zbaton “Rregullin e Udhëtimit” (Travel Rule) për ofruesit e shërbimeve të kriptoaseteve (CASP). Sipas kësaj dispozite, çdo transfertë e kriptoaseteve duhet të shoqërohet me informacion të plotë, të verifikuar dhe të pandryshueshëm mbi identitetin e dërguesit dhe të përfituesit. Ky detyrim synon eliminimin e anonimitetit në transaksionet virtuale.
Një shtyllë qendrore e projektligjit është forcimi i kontrollit mbi lëvizjen e parasë fizike (cash) dhe instrumenteve të ngjashme, përfshirë metalet e çmuara dhe kartat e parapaguara.
Në pikat kufitare dhe ndërkufitare sanksionohet detyrimi i deklarimit për çdo shumë të barabartë ose më të madhe se 10,000 euro në hyrje apo dalje nga territori i Republikës së Shqipërisë. Agjencia e Inteligjencës Financiare pajiset me tagrin ligjor për të pezulluar përkohësisht transaksionet e dyshimta, për të urdhëruar masa monitorimi të thelluara ndaj subjekteve të detyruara dhe për të lëshuar njoftime paralajmëruese mbi tipologjitë e reja të pastrimit të parave apo profileve me rrezik të lartë.