TIRANË- Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri zhvillon mbledhjen e 22-të, sot dhe nesër në Tiranë. Në fokus të këtij takimi është integrimi europian i Shqipërisë, reformat, shteti i së drejtës dhe bashkëpunimi me BE-në.
Në fjalën e tij, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, deklaroi se Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm të procesit të integrimit europian. Peleshi theksoi se pavarësisht dallimeve politike në Kuvend, për çështjen e integrimin ekziston gjithmonë dakordësia.
“Ju uroj mirëseardhjen në Tiranë të gjithëve. Integrimi europian është e vetmja rrugë për Shqipërinë dhe jemi në një moment të mirë në këtë proces. Kuvendi është i angazhuar dhe e di shumë mirë që ka rolin e motorit të procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Në parlament shpesh nuk jemi dakord për shumë gjëra, por kur vjen puna tek integrimi, biem të gjithë dakord. Kuvendi do shqyrtojë me përparësi projektligjet, që kanë të bëjnë me integrimin në BE. Kemi nisur punën që të përgatitemi si vend anëtar me të drejta të plota në Bashkimin Europian. Kjo kërkon përgatitjen e administratës sonë për përgjegjësitë e reja. Ne do intensifikojmë kontaktet me parlamentet e vendeve të BE-së. Pothuajse të gjitha parlamenteve të vendeve të BE-së janë përgjigjur pozitivisht në ftesën tonë për intensifikim raportesh”, tha Peleshi.
E pranishme në këtë takim është edhe ambasadorja e BE në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, e cila vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt integrimit. Megjithatë, sipas ambasdorës, për mbylljen e negociatave në fund të vitit të ardhshëm nevojitet vijimi i reformave.
“Ky takim po ndodh në një moment shumë të rëndësishëm të rrugëtimit të Shqipërisë në BE. Është bërë progres, por duhet me shumë punë. Grupkapitulli 1, procesi ka ecur përpara. Shqipëria është në një fazë, ku procesi i anëtarësimit bëhet më i prekshëm. Për të arritur mbylljen e negociatave në fund të vitit tjetër, duhet të ruhet ky çast, duhet të ketë progres në të gjitha reformat. Shqipëria ka bërë hapa përpara në drejtësi. Kjo nuk është një punë që mbyllet këtu. Këto rezultate duhet të jenë të pakthyeshme. Përpjekja për të ruajtur ritmin e reformave duhet të vazhdojë. Mbetet ende një pjesë e madhe e legjislacionit që duhet të miratohet me shpejtësi. Përfitimet e reformave do ndihen nëse ligjet hartohen dhe zbatohen mirë. Duhet të bëhet konsultim kuptimplotë para se të miratohet. Reformat që lidhen me BE, prekin çdo aspekt të jetës. Në fund të fundit, prekin çdo qytetar. Duhet të kemi qasje që të përfshijë të gjithë shoqërinë. Parlamenti ka një rol kyç për të bërë diçka të tillë”, theksoi ajo.