Politikë

LaCivita drejton PD/ Noka: Ju ka kapur makthi! Peleshi: Gjetët kompani marketingu

Kreu i grupit parlamentar të PS-së iu përgjigj Nokës duke i thënë se nuk duhet ta bazojnë fushatën në një kompani marketingu, duke iu referuar ekipit të Chris LaCivita.

F.I
LaCivita drejton PD/ Noka: Ju ka kapur makthi! Peleshi: Gjetët kompani
Flamur Noka dhe Niko Peleshi

TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka gjatë fjalës së tij në Kuvend ka akuzuar mazhorancën se mbron krimin dhe korrupsionin pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj. Ndër të tjera Noka tha se mazhoranca është e frikësuar pas ardhjes së Chris LaCivita në Tiranë, arkitekti i fitores së Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit 2024 në SHBA, i cili tanimë do të udhëheqë edhe fushatën e Sali Berishës dhe PD në Shqipëri.

Flamur Noka: Çfarë halli keni? Si mund të quash normale që zonja e kryebashkiakut të ketë 876 mijë euro vetëm blerje online. Lëre sa blerje ka bërë nëpër dyqane. Ju këtu guxoni dhe mbroni…kush mund ta shpjegojë këtë gjë? 870 mijë euro. O Pandi a e kupton? Kjo zonjë që jeton në luks… është një zonjë që jeton në Fier, në barakë e ka lënë qeveria juaj. Nuk flisni ju për Vaiden dhe për mijëra Vaide që janë në Shqipëri. Vini dhe e mbroni. Po si ka mundësi mo? Ku e keni drejtësinë tuaj? Ka gjë më të turpshme, a ka ndodhur në ndonjë vend të botës që kryeministri të shkojë në bashki 2 herë brenda ditës pasi është arrestuar hajduti dhe të mbledhë policinë bashkiake e administratën e t’i thotë oranizoni protestë kundër institucioneve. Si mund të flisni ju për shtet ligjor? Harrojeni se keni shpëtim. Ju ka pushtuar Satanai, ndaj të dashur kolegë zhytja në krim dhe korrupsion kurrë nuk jep rrugë të gjatë. Të zhyt shumë shpejt dhe pastaj në makth, makthi e dini se kush është apo jo? Chris LaCivita zbarkoi një sherif në Tiranë dhe ju nuk flini gjumë. S’keni më shans t’ju mbrojë askush as krimin as korrupsionin, fundi juaj po vjen, e kuptoj shoh trishtim tek të gjithë ( u drejtohet deputetëve). Këta nuk kanë thjesht trishtim kanë halle të mëdha, sepse atje prapa hekurave është botë tjetër. Janë delikatë këta nuk e durojnë dot atë lloj jete (drejtohet nga ministrat) ndaj zverdhen, janë më makthe se atje i pret sapuni të gjithë. Ndaj nuk i zë gjumi.

Niko Peleshi, kreu i grupit parlamentar të PS-së iu përgjigj Nokës duke i thënë se nuk duhet ta bazojnë fushatën në një kompani marketingu, duke iu referuar ekipit të Chris LaCivita.

Niko Peleshi: Për ju vota e diasporës nuk është as shpëtim as e rëndësishme. E rëndësishme është vetëm…keni gjetur një shpëtim tjetër që është një kompani marketingu. Për një parti kaq të rëendësishme për Shqipërinë, si PD, ta mbështesë të gjithë shpresën te një kompani marketingu, është dorëzim. Duket si dorëzim nga ana juaj. Nuk ka një shpëtim që vjen nga qielli, Shqipëria e së nesërmes do ndërtohet nga shqiptarët. Mos sillni një alternativë “kemi gjetur një kompani marketingu që nuk e njihte fare Shqipërinë dhe di të bëjë të zezën të bardhë”. Kjo nuk ka asgjëkundi ku të qëndrojë.

Poll

MOS HUMB