TIRANË- Kuvendi do të zhvillojë të enjte më 17 shtator një seancë plenare me një rend dite të ngjeshur ku në fokus do të jenë interpelancat me pesë ministra, si dhe shqyrtimi i projektligjit të Partisë Socialiste për pagat e magjistratëve. Katër prej interpelancave janë kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike dhe lidhen me ministrat e Mjedisit, Punëve të Brendshme, Arsimit dhe Shëndetësisë. Ndërkohë, në seancë do të zhvillohet edhe një interpelancë me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, e kërkuar nga deputeti Blendi Himçi.
Përtej përballjes mes deputetëve dhe ministrave, një prej pikave që pritet të tërheqë vëmendjen është ndryshimi i parashikuar për pagat e magjistratëve. Projektligji i propozuar nga mazhoranca kaloi këtë të martë në Komisionin e Ligjeve me 8 vota pro dhe 3 kundër nga opozita duke i hapur rrugë shqyrtimit të tij në seancë plenare.
Sipas draftit, paga referuese e magjistratëve parashikohet të rritet me rreth 8,500 lekë. Kjo rritje është dukshëm më e ulët se kërkesa e institucioneve të drejtësisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të cilat kanë kërkuar një rritje prej rreth 80 mijë lekësh.
Në rendin e ditës janë përfshirë edhe një sërë çështjesh të tjera. Deputetët do të shqyrtojnë ratifikimin e Konventës për Themelimin e Komisionit Ndërkombëtar të Kërkesave për Ukrainën, si dhe Konventën Kuadër të Këshillit të Evropës për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e së Drejtës.
Gjithashtu pritet të diskutohen ndryshime në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, projektligji për disenjot dhe ndryshime në legjislacionin për marrjen në kontroll të shoqërive me ofertë publike.
Pas përfundimit të pikave të përcaktuara në rendin e ditës, deputetët do të kenë në dispozicion deri në 60 minuta për diskutime mbi çështje të ndryshme jashtë rendit të ditës.
/ZËRI