
TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë mbajti seancën e parë pas pushimeve të festave të fundvititi. Sesioni i VIII i Legjislaturës së X zgjati vetëm një orë. Në nisje të seancës kryeparlamentarja, Elisa Spiropali njoftoi letrën e mbërritur nga presidenti Bajram Begaj, drejtuar deputetëve të Kuvendit. Opozita e priti me ironi letrën, ku kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi kërkoi prezencën e presidentit në seancë.
Gjatë fjalës së tij, Bardhi tha se në 12 vite qeverisje mazhoranca ka dështuar, pasi sipas tij nuk ka arritur që të hartojë një reformë të drejtë zgjedhore. Më tej me ton ironizues, Bardhi tha se “për fat të mirë ky është sesioni i fundit që PS është mazhorancë në këtë Kuvend”.
"Duke qenë se bëhet në të njëjtin orar ju kishit detyrim të pagëzonit Trump, besoj se është në nderin tonë t’i urojmë suksese. Dhe mos na kishit harxhuar kohe me mesazhet e presidentit tuaj të republikës që kishte lëne dy faqe letër aty dhe kishte përtuar të firmoste…Taulant ai është fiks sekretari yt dhe na bënte thirrje të respektojmë standardet për zgjedhje të lira. Nëse ai do kishte interes së pari do vinte këtu që ta jepte këtë mesazh. Ai nuk ka ardhur në asnjë nisje të sesioneve parlamentare…Për fat të mirë ky sesioni i fundit që je i mazhorancë në këtë kuvend. Ju në fakt në emër të shumicës duhet të kishit kërkuar ndjesë se 12 vite nuk arritët të bënit kurrë një reformë zgjedhore, kuvendi ka dështuar gjatë gjithë këtyre 12 viteve,"- u shpreh Bardhi.
Më pas fjalën e mori kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi i cili u ndal te vota e diasporës. Ai tha se vota e diasporës ka qenë vullnet i përhershëm i PS dhe se qeveria ka alokuar fonde për të garantuar që emigrantët të votojnë 100% falas.
'Imazhi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare sot nuk ka të krahasuar me 10 vite më parë…Sot Shqipëria jo rastësisht në raport me aleatët euroatlantike është vend pritës i samiteve evropiane, sot çdo europian që takon ose ka qenë në Shqipëri ose ka në plan të vijë në Shqipëri. Ne si deputetë duhet të bëjmë pjesën tonë për reformimin e Shqipërisë. Vota e diasporës është vullnet i përhershëm i Partisë Socialiste. 45 mijë emigrantë janë regjistruar deri më tani. Por sfidat mbeten të shumta por është arritur një konsensus për lehtësimin e votës për emigrantët,'-u shpreh Niko Peleshi.
Ky është sesioni i fundit për legjislaturën e 10, e cila do të vijojë punimet deri në mars, më pas do të mbyllet për t’ia lënë vendin përgatitjeve për votimet e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit./ZËRI