TIRANË-Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot në seancë plenate në orën 10:00. Javën e kaluar seanca e Kuvendit u shty si pasojë e trazirave dhe tensioneve të zhvilluara gjatë protestës së studentëve, ku edhe Kryesia e Kuvendit u përfshi nga sulmet. Seanca do të shoqërohet nga protesta e thirrur nga studentë e pedagogë, të cilët në ditën e 10-të tubimeve do të mblidhen para godinës së Parlamentit. Prej 9-ditësh Tirana ndodhet në 'duart' e studentëve dhe protestuesve.
Sa i përket seancës pika e parë e rendit të ditës parashikon një interpelancë urgjente me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, e kërkuar nga Partia Demokratike. Sipas rendit zyrtar të ditës, të miratuar me urdhër të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, më 20 tetor, janë parashikuar edhe interpelanca të tjera.
Deputeti i Partisë së Lirisë Tedi Blushi ka kërkuar gjithashtu interperlancë me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi dhe ministrin e Financave, Petrit Malaj.
Në seancën e së enjtes do të shqyrtohen edhe disa projektligje, mes tyre ai për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ndryshimet në ligjin për shërbimet e pagesave, si dhe ndryshimet në ligjin për të drejtat e autorit.
Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, si dhe projektligjin për treguesit gjeografikë të produkteve artizanale dhe industriale.
Një tjetër pikë e rendit të ditës është projektvendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale./ZËRI