
TIRANË- Pas Gjykatës Kushtetuese dhe Prokurorisë së Përgjithshme, edhe 3 institucione të tjera të drejtësisë kanë refuzuar që të bëhen pjesë e Komisionit të Anti-korrupsionit të drejtuar nga ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Gjykata e Lartë, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, po ashtu edhe Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë kanë refuzuar të jenë pjesë e Komision.
SPAK, në arsyetimin e dhënë për mungesën në Komision, bën me dije se e kanë konsideruar si të panevojshëm pjesëmarrjen me ekspert në këtë komision. Vendimi është marrë në mënyrë unanime nga të gjithë prokurorët e SPAK, të cilët theksojnë se institucioni i ka përmbushur detyrimet ligjore". Por janë shprehur të gatshëm që të japin mendime ligjore sa herë të jetë e nevojshme.
DEKLARATA:
Në përgjigje të interesimit tuaj, ju bëjmë me dije se kërkesa e Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit, dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” (Komisioni), u analizua me shumë kujdes nga ana jonë duke u trajtuar në Mbledhjen e Prokurorëve të Posaçëm të datës 03.09.2024. Gjatë kësaj mbledhjeje, Prokurorët e Posaçëm diskutuan rëndësinë e bashkëpunimit me Kuvendin për përmirësimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjithmonë duke respektuar parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Në mënyrë unanime të gjithë Prokurorët e Posaçëm nuk e konsideruan të nevojshme pjesëmarrjen me ekspert në këtë Komision, pasi vlerësuan se tashmë institucioni ynë i ka përmbushur detyrimet ligjore për bërjen publike të problematikave të hasura gjatë ushtrimit të funksioneve të tij duke përfshirë këtu dhe nevojat për ndryshime ligjore përkatëse. Ky detyrim ligjor është realizuar përmes publikimit të Raporteve Vjetore të SPAK në faqen zyrtare, si dhe raportimeve periodike përballë KLP-së dhe Kuvendit. Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme, cilësoi se është e gatshme për të ofruar kontributin e saj përmes dhënies së mendimeve ligjore sa herë që do të konsiderohet e nevojshme nga ky Komision
Gjykata e Lartë, nëpërmjet një letre drejtuar Komisionit nga drejtesi Sokol Sadushi argumenton se pjesëmarrja nuk vlerësohet si zgjidhje e përshtatshme në përmbushje të misionit të Komisionit të Posaçëm. Kjo pasi sipas tyre, puna në Komision nuk përshtatet me funksionin e gjyqtarëve. Por po ashtu shtojnë se janë të gatshëm që të thirren nëse kërkohet që të japin opinion. Deri atëherë, kanë caktuar tre punonjës nga stafi i lartë teknik i këtij institucioni: Arta Vorpsin, Miran Kopanin dhe Bjorka Dukën që të marrin pjesë në mbledhje, por në cilësinë e vëzhguesit.
"Duke mbajtur parasysh këtë funksion të Gjykatës së Lartë në raport me pushtetet e tjera, vlerësojmë se kërkesa Juaj për pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të gjyqtarëve të kësaj Gjykate si anëtarë të një nëngrupi teknik, në varësi të Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë të Komisionit të Posaçëm, që duhet të kryejnë detyrat e caktuara sipas vendimmarrjes së Komisionit, nuk përshtatet me funksionin dhe misionin e gjyqtarit. Si e tillë, nga ana jonë nuk vlerësohet si zgjidhje e përshtatshme në përmbushje të misionit të Komisionit të Posaçëm. Sigurisht, Gjykata e Lartë mirëpret mundësinë për të dhënë opinione për projektligjet që lidhen drejtpërdrejtë me funksionin e saj. Me kënaqësi konstatojmë se praktika e viteve të fundit ka treguar se propozimet për disa ndryshime në ligjet procedurale civile, penale dhe administrative, me qëllim rritjen e eficensës së gjykimit dhe parandalimin e krijimit të stokut të ri, të miratuara nga Kuvendi me kontributin edhe të gjyqtarëve dhe këshilltarëve ligjorë të Gjykatës së Lartë (në mënyrë të pavarur dhe pa qenë pjesë e komisioneve apo nënkomisioneve të ngritura për këtë qëllim pranë Kuvendit), ka ndikuar pozitivisht në drejtim të shpejtësisë dhe cilësisë së gjykimit të rekurseve. Së treti, duke mbajtur parasysh sa më sipër, si dhe duke vlerësuar nismën e Kuvendit në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, të ndërgjegjshëm se shteti i së drejtës është çështje që kërkon ndihmesën e të gjithë institucioneve publike, përfshirë edhe Gjykatën e Lartë, jemi të gatshëm të ofrojmë kontributin tonë në këtë proces. Modalitetet e këtij angazhimi duhet të jenë të tilla që të pajtohen me pavarësinë dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor, si themeli i shtetit të së drejtës. Si e tillë konsiderohet dhënia e mendimeve dhe sugjerimeve lidhur me gjetjet që do të arrijë Komisioni i Posaçëm Parlamentar sa i takon nevojës për ndërhyrje institucionale dhe ligjore në sistemin e drejtësisë. Ky kontribut mund të jetë efektiv, duke i vënë në dispozicion Gjykatës së Lartë analizën e përgatitur nga ekspertët pranë Komisionit të Posaçëm, si dhe propozimet konkrete për ndërhyrje ligjore. Vetëm pas kësaj faze mund të përgatitet nga grupi i gjyqtarëve dhe këshilltarëve ligjorë pranë Gjykatës së Lartë një material i konsoliduar me sugjerime dhe propozime, të cilat mund të jenë me interes për Komisionin, me qëllim kthimin e tyre në akte ligjore. Megjithatë, për të qenë pjesë e këtij procesi të rëndësishëm që ndikon në forcimin e shtetit të së drejtës dhe ndihmon në nxjerrjen e një produkti sa më cilësor nga ana e Komisionit të Posaçëm Gjykata e Lartë, e përgjegjshme për misionin që i është caktuar, ka ngritur një grup pune të përbërë nga gjyqtarë dhe këshilltarë ligjorë, të cilët do të përgatisin materialin përkatës mbi problematikat e veprimtarisë së këtij institucioni dhe të sistemit të drejtësisë në përgjithësi, shoqëruar me propozime konkrete lidhur me masat ligjore dhe institucionale që duhen ndërmarrë. Nga ana tjetër, për të qenë sa më të informuar mbi veprimtarinë e Komisionit të Posaçëm Parlamentar me qëllim marrjen dhe përcjelljen në kohë sa më të shpejtë të informacionit mbi problematikat që lidhen me mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë në përgjithësi dhe të Gjykatës së Lartë në veçanti, tre punonjës nga stafi i lartë teknik i këtij institucioni, konkretisht znj. Arta Vorpsi, Drejtore e Kabinetit të Kryetarit, z. Miran Kopani dhe znj. Bjorka Duka, këshilltarë ligjorë mund të marrin pjesë me cilësinë e vëzhguesit pranë Komisionit të Posaçëm.".
Prokuroria e Përgjithshme në njoftimin e saj për mediat, deklaroi: Prokuroria e Pergjithshme ka shprehur vullnetin të bashkëpunojë me Komisionin e Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” për çdo çështje të natyrës teknike që lidhet me kuadrin kushtetues e ligjor brenda të cilit funksionon prokuroria dhe sistemi i drejtesisë. Prokuroria nuk do të marrë pjesë me ekspertë si pjesë të nëngrupit të punës së komisionit, por ka njoftuar komisionin për caktimin e pikave të kontaktit të institucionit sipas fushave përkatëse të ekspertizës, të cilët do të bashkëpunojnë me komisionin në formën e dhënies së opinioneve mbi produktet e punës së këtij të fundit në të gjitha rastet që do t’u kërkohet prej tij.
Ndryshe nga institucionet e tjera, nga ana e ILD-së ende nuk ka një sqarim zyrtar se përse kanë zgjedhur që të mos jenë pjesë e Komisionit. Më herët ishte Gjykata Kushtetuese, institucioni që refuzoi kërkesën për të marrë pjesë në Komisionin “Xhafaj”. Ka qenë kryetarja e Gjykatës, Holta Zaçaj, ajo që ka bërë me dije vendimin, ndërsa më herët të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe Prokuroria e Përgjithshme. Gjykata thekson se nuk mund të marrë pjesë në proceset ligjbërëse, pasi kjo mund të sjellë në të ardhmen konflikt në ushtrim të funksionit të saj në kontrollin e pajtueshmërisë së ligjeve me Kushtetutën.
Shumica kërkon të bëjë një reformë të thellë ligjore në të tre pushtetet dhe të gjitha institucionet e tyre të varësisë për të luftuar korrupsionin që sipas kryeministrit do ta bëjë të mundesh objektivin për t’u anëtarësuar në BE deri në 2030. Komisioni është konceptuar me 11 anëtarë, 6 nga PS dhe 5 nga opozita. Komisioni i Posaçëm do të zhvillojë veprimtarinë e tij në një afat kohor 10-mujor. Në rast nevoje, me kërkesë të arsyetuar të komisionit, Kuvendi mund të vendosë zgjatjen e afatit të ushtrimit të veprimtarisë së komisionit. Por në këtë Komision duhet të marrë pjesë edhe opozita, e cila refuzoi ta votonte në Kuvend, e që atëherë ka lajmëruar bojkot, pasi sipas tyre, qëllimi i vërtetë i këtij Komisioni është "kapja" nga maxhoranca e institucioneve të drejtësisë./ZËRI