
TIRANË-Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me mësuesit dhe prindërit në shkollën “Halit Coka” ku u diskutua mbyllja e rrjetit social TikTok. Kreu i qeverisë u shpreh se mbyllja e 'TikTok' është ndihmë, por jo zgjidhje, duke kërkuar më shumë bashkëpunim mes prindërve dhe mësuesve për edukimin e fëmijëve. Rama u shpreh se fëmijët botën virtuale e sjellin në atë reale, duke kryer edhe akte të rënda kriminale si vrasje.
"Jeta virtuale ka efekt deri në shëndetin mendor të fëmijëve. Botën virutale përpiqen ta sjellin në botën reale, duke krijuar edhe akte të rënda kriminale. Sikur, faktikisht zgjat aventurën e ekranit në jetën reale ku arrin deri edhe të vrasësh, e të mos kuptosh se çfarë ke bërë. Bllokimi i TikTok është ndihmë, por jo zgjidhje. Duhet përfshirje e drejtpërdrejte e familjes, shkollës, dhe të dyja pastaj bashkë, prindër, mësuesit, dhe institucioneve të tjera,"-u shpreh Rama.
Po ashtu ai foli dhe për projektin e ri e në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara.
“Jo vetëm që është hetuar por është me video. S’ka një autor tjetër, një pikë tjetër dhe nuk ka ndodhur siç mund të thotë imagjinata kur vetvetiu njeriu vendet në krahun e viktimës. Në këto bashkëbisedime kam dëgjuar shqetësimet e prindërve. TikTok është audienca për ti mbajtur ata pas ekranit për të treguar histori. Është një pjesë që nuk kemi shanse ta rregullojmë, për sa kohë politika është kjo që është. Për sa kohë politika dhe Kuvendi do jenë në ‘top list’ të burimeve të gjuhës së shpifjes, urrejtjes, helmit. Kjo është një bisedë që është e rëndësishme t’ju dëgjoj dhe ju. Ne po punojmë në një projekt që besoj se do na japë një dorë të madhe, që është një projekt i sigurisë së lartë të shkollave përmes kamerave inteligjente. Falë një bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara, do kemi mundësi të kemi në dorë një pasqyrë të prindërve dhe mësuesve. Çdo prind që do dijë të shohë fëmijën e vetë si ka qëndruar në klasë, do ketë mundësi ta bëjë. Po kështu edhe mësuesit. Ata do jenë të monitoruar dhe të mbrojtur në të njëjtën kohë. Brenda dhjetorit mbyllim marrëveshjen e financimit. Do na japë një dorë në madhe edhe për monitorimin e provimeve. Jam shumë optimist për zhvillimet e mëtejshme”,-u shpreh Rama.
Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë ka komentuar vrasjen e 14-vjeçarit, Martin Cani dhe deklaratat e shokut të tij të ngushtë, Luis Meçja, i cili mbeti i plagosur gjatë sherrit, se ka pasur dy autorë të krimit. Rama i konsideroi deklarata se ka një autor të dytë si “shpikje”, teksa u shpreh se nuk ka një thikë të dytë.
"Kjo e 14-vjeçarit ishte një tragjedi shumë e madhe, janë përdorur në mënyrën më abuzive, më skandaloze dhe më të pabesë ndaj opinionit publik, sidomos kjo e fundit, ndaj prindërve, duke sajuar historira, duke vënë në pikëpyetje korrektesën e Policisë së Shtetit në raportim, duke shpikur një autor tjetër. Fatmirësisht, kjo vrasje është e regjistruar në video. Jo vetëm që është hetuar me detaje nga prokuroria, por është regjistruar në video. Është nga A-ja te Z-ja si ka ndodhur, nuk ka një autor tjetër, nuk ka një thikë tjetër dhe nuk ka ndodhur siç mund të thotë imagjinata, kur vetvetiu, njeriu vendoset në krahun e viktimës. Një përleshje, nga ku, për fatin më të keq është shkaktuar një vdekje e një fëmije, ky është fakti. Dhe në këto bashkëbisedime kam dëgjuar me shumë vëmendje shqetësimin e prindërve që përtej TikTok-ut, është edhe gjithë çmenduria mediatike e Shqipërisë që nxitet nga politika, nxitet nga nevoja për të pasur sa më shumë audiencë dhe për ta përdorur me netë të tëra, me ditë të tëra shqetësimin që krijohet vetvetiu tek prindërit për t'i mbajtur ata mbas ekranit, duke iu treguar historira"-tha ai.
Ndër të tjera kryeministri është shprehur se Shqipëria është vend i sigurt dhe se vrasjet e njerëzve të pafajshëm janë të rralla. Ndërsa sa i përket vrasjeve mes atyre që lajnë hesapet me njëri-tjetrin, kreu i qeverisë u shpreh se “kokat të hanë”.
"Shqipëria nuk e ka një problem sigurie. Problemi i sigurisë po bëhet serioz në kryeqytetet e vendeve të mëdha, në pikë që pjesën më të madhe të qytetit burrat dhe gratë nëse lëvizin i lënë orët dhe çantat në hotel ose në shtëpi, se nuk është e sigurt që kthehen me orët ose çantën. Në Shqipëri patjetër që ka vrasjen por ama ne sot kemi një numër mestar vjetor të vrasjeve që shkon drejt mesatares së vende të tjera. Sot kur ndodh një vrasje, jashtë atyre vrasjeve që bëhen mes këtyre që lajnë hesapet me njëri-tjetrin që për ata kam thënë dhe e them kokat të hanë, dhe nuk. Po them për vrasje të njerëzve të pafajshëm të cilat janë shumë të rralla, dhe ky është fakt, janë tronditëse por merren dhe rrotullohen me ditë të tëra për të nxitur sa më shumë ndjenjën e pasigurisë. Por këtu nuk ka pasiguri',- u shpreh Rama.