
TIRANË-Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kërkuar ndërhyrjen e SPAK për të hetuar kryetaren e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi, për tendera korruptivë. Bardhi duke iu referuar një investigimi nga 'Piranjat', shprehet se Bufi ka bërë një tender për karikimin e makinave elektrike, me vlerë miliona euro, që nuk është në dobi të asnjë qytetari, sepse mungojnë në qytet makinat elektrike.
"Një zyrtar që nuk ka memorie për firmat e hedhura, ka shumë për të fshehur. Është rasti që SPAK-u t’i kthejë memorien kryetares së Bashkisë së Roskovecit Majlinda Bufi për disa tendera “elektrizues”. Nëse ajo s’mban mend pse tenderat e saj kushtojnë shumëfish dhe s’i shërbejnë qytetit, është mirë që SPAK të mos heshtë! Korrupsioni lulëzon atje ku drejtësia mungon!”,-shkruan Bardhi në Facebook.
Kjo nuk është hera e parë që kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi mund të hetohet. SPAK nisi procedimin penal për Bufin, pas investigimit të programit Piranjat, ku kryebashkiakja e Roskovecit i bënte presion me shkarkim nga puna një pastrueseje e cila kishte marrë pjesë në një nga mitingjet e opozitës. Ndërsa në një rast të dytë, Bufi i kërkonte llogari një qytetari pse kishte shprehur mbështetje në rrjetet sociale për rivalin e saj në zgjedhjet lokale të 14 Majit 2023.
Po ashtu në maj të vitit 2024, Bufi u kallëzua në SPAK nga banorët e fshatit Suk 1 në Roskovec. Banorët asakohe kërkonin ndalimin e ndërtimit të Termocentralit me gaz./ZËRI